Batatina vjen me një postim të gjatë, nuk përmend incidentin e tifozëve në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’
Llapi regjistroi fitore sot në derbin kundër Ballkanit, të vlefshëm për javën e 25-të në Superligën e Kosovës.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” ishte tejet interesante dhe me rikthime, teksa në fund triumfuan vendasit me rezultatin 3:2.
Megjithatë, skena të turpshme ndodhen pas përfundimit të ndeshjes, pasi pati përplasje mes tifozëve vendasë dhe atyre mysafirë.
Përveç tjerash, edhe stadiumi u demolua, pasi shumë karrige u dëmtuan.
Tahir Batatina, përmes një postimi në “Facebook”, ka falënderuar tifogrupin e Llapit, “Legjendat”, për organizimin dhe mbështetjen, si dhe qytetarët e tjerë, duke theksuar se ata ndihmuan skuadrën që të triumfonte sot.
Megjithatë, trajneri i skuadrës nga Podujeva nuk e tha asnjë fjalë për incidentin e ndodhur, teksa një reagim zyrtar nuk është bërë ende as nga klubi.
Postimi i plotë nga Batatina (pa ndërhyrje):
“Falenderoj tifozët Ultras Legjendat për organizimin dhe mbështetjen e dhënë skuadrës së zemrës, së bashku me qytetarët e Llapit dhe Gollakut, zëri i së cilëve në tribuna dhe angazhimi maksimal i futbollistëve në fushë na solli tri pikë të rëndësishme drejt arritjes së objektivit që kemi së bashku.
Ju kam premtuar dhe do mundohem ta mbaj fjalën se do jemi klubi me organizimin më të mirë në Kosovë dhe askush nuk do mund të na ndal mua, kryesinë dhe sponsorët e Llapit drejt arritjes së objektivave që kemi sepse me mund dhe djersë e sollëm skuadrën në ketë gjendje për të luftuar gjithmonë për pozitat lart në tabelë dhe daljes në Evropë.
Qytetarët e trevës së Llapit e din sa vështirë ka qenë me sjell ekipin e zemrës me këto kushte dhe për këtë arsye asnjëherë nuk kanë dyshuar në mua dhe kryesinë në menaxhimin e skuadrës.
Sot edhe një herë tjetër u dëshmua se jemi qyteti i futbollit sepse po e mbizotrojmë Superligën e Kosovës me tifozeri dhe kjo tregon se në çfarë niveli është skuadra e Llapit pasi për çdo qytetar llapjan është kënaqsi të jetë në tribuna dhe motiv për çdo skuadër që luan në Arenën “Zahir Pajaziti”.
Vazhdojmë të bashkuar dhe të pathyeshëm sepse kështu jemi më të fortë por kërkoj edhe që institucionet tona komunale të mos e neglizhojnë skuadrën më të organizuar ne Kosovë dhe të gjejnë formë dhe mundësi për mbështetje sepse këta 5 mijë tifozë vetëm ne i sjellim në tribuna ku edhe ju duhet të kontriboni për rininë e këtij vendi sepse fundja është obligim njerëzor dhe moral por edhe qytetar të mbështetet klubi i qytetit, dashuria e vetme dhe sporti i vetëm më i organizuar në Podujevën tonë por edhe në Kosovë”.