Batatina: Problem të më ndalë dikush

Batatina: Problem të më ndalë dikush

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë shumë i kënaqur me fitoren e arritur përballë Prishtinës, por jo edhe me gjykimin në këtë duel. Ai mbeti i pakënaqur me referimin e gjyqtarit Valbon Hoxha.

Gjyqtari Hoxha ia anuloi një gol skuadrës së Llapit në pjesën e parë.

Llapjanët të shtunën mposhtën kampionin aktual me rezultat 3:2.

“Dua ta falënderoj skuadrën e Ulpianës fillimisht për pritjen vëllazërore pasi na la ta zhvillojmë ndeshjen këtu. Tani do të kthehemi në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’.

Kjo ka qenë një ndeshje ku treguam gjithçka si skuadër, dominuam në tërësi, në çdo aspekt. Do ishte dashur që rezultati të jetë 3:0 pasi na u anulua një gol që as vet gjyqtarët nuk e dinë pse është anuluar goli.

Njerëzit në FFK duhet ta mendojnë mirë këtë sepse mund t’ua humbin djersën atyre që fitojnë. Arbitri nuk ka qenë në nivelin e duhur, le t’i shohë vetë gabimet ku i ka bërë”, ka thënë fillimisht pas ndeshjes Batatina.

“Fitoren ua uroj tifozëve të klubit ‘Legjendave’, të cilët na përkrahin vazhdimisht. Mendoj se treguam që jemi skuadër me të cilën mund të luftojmë për kreun e tabelës.

Kampionë janë këta djem, me angazhim e luftë të pakompromis. Për taktikë nuk kam çfarë të flas. Të gjithë trajnerët e dinë se kur lëshohem në ofensivë, problem është të më ndalin”, përfundoi Batatina.

Shpërndaje në: