Batatina: Nuk është humbje e madhe barazimi ndaj Gjilanit
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është ndarë i kënaqur me barazimin e arritur ndaj Gjilanit. Ndeshja derbi e xhiros së 16-të në mes të Llapit dhe Gjilanit përfundoi të dielën pa gola në Merdar.
Por, Batatina insiston se një barazim ndaj Gjilanit, nuk është humbje.
“E kemi ditur se do të përballemi me pozitë ne parë. Ka qenë skuadër cilësore. Kemi dhënë maksimumin ndoshta pak më të vëmendshëm do të mund ta fitonim lojën. Pak hapësirë apo hiq i kemi dhënë Gjilanit rast. Jemi skuadër që tash po luftojmë për kreun e tabelës. Nuk është humbje e madhe barazimi ndaj Gjilanit. Nuk kemi mundur ta bëjmë lojën tonë. Mendoj që pak më të kujdesshëm kemi mundur të bëjmë gol. Të dyja bëmë lojë cilësore. I përgëzoj djemtë për lojën dhe mendoj se ka ndeshje tjera ku do të mund të fitojmë pikë. Suksesi në të cilin jemi tani është falë djemve”, ka thënë Batatina.
Ai insistoi nse Llapi është duke kaluar formën më të mirë në xhirot e fundit. Madje, thekson se Llapi është pretedent për titull të kampionit. Llapi zë vendin e tretë me 25 pikë, ndërsa Gjilani bie në vendin e dytë me 29 pikë. Lider i ri i Superligës është Ballkani me 30 pikë.
“Jemi skuadra më në formë në Superligë. Por, nuk ndërpritet seria pozitive ndaj Gjilanit. Jemi afër me skuadrat në tabelë, ruajtëm distancën në 4 pikë me liderin dhe nuk është diferencë e madhe”, ka theksuar Batatina.