Batatina me plan strategjik për ta drejtuar Kombëtaren: Lojtarët duhet të vdesin në fushë për fanellë

Batatina me plan strategjik për ta drejtuar Kombëtaren: Lojtarët duhet të vdesin në fushë për fanellë

Kombëtarja e Kosovës ende nën ‘mëshirën e fatit’ sa i përket përzgjedhjes së trajnerit. Që nga koha e shkarkimit të sllovenit, Primoz Gliha, ‘Dardanët’ kanë mbetur pa udhëheqës e madje nuk kanë as emrat fiks se kush mund të jetë selektori i ardhshëm.

Këto ditë në rrjete sociale u publikua një fotografi, ku shihej kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi duke darkuar me trajnerin spanjoll, Roberto Moreno në Stamboll.

Ndonëse të gjithë menduan se Kosova është gati arritjes së re dhe po bëhet me trajner, gazeta spanjoll AS demantoi gjithçka.

“AS” përmes një artikulli zbuloi se Moreno e kishte refuzuar Kombëtaren e Kosovës dhe se tekniku kishte vendosur të firmos me klubin rus Sochi.

Nga e gjithë kjo, Sinjali ka biseduar me kandidatin e vetëshpallur për trajner te Kombëtarja e Kosovës, Tahir Batatina.

Njëherit, Batatina është edhe trajneri i KF Llapit që aktualisht ndodhet në pozitën e tretë në tabelën e elitës së futbollit kosovar.

Batatina tha se është i gatshëm për ta udhëhequr Kosovën, madje më i gatshëm se Moreno, kjo pasi tekniku kosovar i njeh më mirë rrethanat dhe situatën me Kombëtaren.

“Po, mendoj se shumë më mirë i njoh rrethana tek Kombëtarja jonë dhe situatën në të cilën jemi, prandaj mendoj se shumë ma shumë do t’i kisha dhënë skuadrës dhe ekipit”, tha fillimisht Batatina.

Tutje, tekniku i Llapit tha se ai tashmë ka projektuar një plan se si do të punojë me Kosovën.

“Sa i përket Kombetares se si do të duket, jam duke projektuar një plan që të gjithë lojtarët jam i bindur se po presin ma padurim që të më japin besimin për ta marr drejtimin e Kombetarës sonë”, vazhdoi ai.

Batatina madje ka përmendur se ai e ka edhe planin katër vjeçar se si do të duket i gjithë zinxhiri i Kombëtares A.

“Kam filluar një projekt katër vjeçar se si do të duket Kombëtarja A, por edhe zinxhiri rreth Kombëtares A, duke instaluar një mentalitet të lojës të të gjitha kategoritë e Kombëtares dhe duke i’u kërkuar punë maksimale dhe të gjithë në punë nga ora 8:00 deri në ora 16:00. Do të punoj edhe për të dhënat e lojtarëve dhe statistikat për çdo lojtar, duke i parë ndeshjet me video, projektor duke i analizuar në detaje”, tha ai.

Tekniku kosovar tregohet i prerë në atë që thotë, kur flet për lojtarët se di do të vendosën në ekip.

“Unë dua një grumbullim nga 35 lojtarë dhe ti shoh a janë në gjendje që të vdesin në fushë për fanellën dhe emblemën e shtetit dhe ata që i vërej që nuk janë në gjendje me vdek në fushën e lojës me angazhim do t’i ledhatojë dhe do t’i falenderojë për kohën sa kanë qënë tek Kombëtarja”.

Për fund, Batatina tregoi se si do të duket stafi i tij dhe se si duhet vendosur disipilina në Kombëtare.

“Stafi im do të përbëhet prej një numri nga 15 persona, ku vetëm në analizat e ndeshjeve dhe lojtarëve do t’i kem tre, po ashtu tre video-analista dhe një strukturë shumë profesionale afër vetit, ku çdo detaj do të evitohet. Puna në Federatë do të jetë nga ora 08:00 deri në ora 16:00 me një disiplinë të hekurt dhe rregulla strikte për të arritur sukses”, tha ai.

Kujtojmë se Kosova nuk arriti të kualifikohet për Kampionatin Evropian 2024, ndonëse kishte grupin mjaft të lehtë, duke arritur vetëm dy fitore për gjatë kualifikimeve.

Shpërndaje në: