Me bast: Sejmenët pro Demarkacionit, do të jenë edhe pro Asociacionit
Në format konfuz apo të qartë, me policim e sharje të kryetarit të Kuvendit, dhe pas tri vitesh jotransparencë totale me njeriun kosovar, u kalua demarkacioni i famshëm me Malin e Zi. Koha do të dëshmojë në anën e kujt ishte e drejta. As që po përmend këtu atë që pamë kur gdhimë të nesërmen (njoftimin se kalimi i demarkacionit nuk paska qenë kushti kryesor i liberalizmit), si përgënjeshtrim të radhës së sortës në pushtet, dhe si vazhdimësi e shkëputjes konsistente që ka me mesatarin. Do ndalem në diçka tjetër, gjithsesi e ndërlidhur me kuptimin më lart. Saktësisht tek një tipologji mendësore njeriu që ka krijuar hierarkia e kapitalizmit kosovar. Hierarki pushtetuese kjo që në kulise të mediave pamflete, po mëtohet të lexohet si e shqendërzuar.
Do ndalem tek tipi i njeriut që intervencionizmin e ka kthyer në Bibël e Kuran të kësaj paslufte, gjithsesi tajuar edhe nga vetë shpirtërimi dhe fati i njeriut të këtij vendi më 1998-1999: kërkim-shpëtimi. Krejt këtë duke e lidhur me nevojën e këtij njeriu që gjithnjë t’i brendashkruhet ideologjisë, për të rrjedhur nënkuptueshëm përfundimi se do jenë individët e sortës së njëjtë që do i bëjnë apologji Asociacionit të Komunave Serbe, sihariqit në ardhje e sipër.
Ky tip njeriu, që së bashku me bashkëmendimtarët e vet përbëjnë komunitetin epistemik të hegjemonisë Perëndimore në Kosovë dhe së këndejmi edhe atë të operandëve pushtetesh të nduarnduarshme vendore, ekonomikisht, kulturalisht, artistikisht si të duash quaje, nuk e jeton të përditshmen e kosovarit mesatar, që fare rastësisht mund të jetë më e dinjitetshme se e këtij tipi njeriu, anipse më e mundimshme. Them kështu, meqë teza ime preferon t’i bishtnojë shenjtërimit ekonomicist: nuk mendoj se kushti i pastër valutor prodhon gjithçka. Kjo meqë gjithnjë kushtet e kapitalizmit, kanë bërë që edhe nëpër provincat kosovare të gjesh njerëz që pa qenë fare tregtarë, jetojnë më mirë se…ta zëmë Blerim Latifi. Me një dallim goxha sinjifikant: pa ndjerë nevojën e të qenit sejmenë. Ndaj që këtu më shumë se sa për ndonjë distinksion të qartë ekonomik a kushte jetese në terrenin e tregut, kemi të bëjmë me gjendje mendësore; me atashim – dëshiror dhe të vullnetshëm të sejmenit në krahët e pushtetit, që aktiv e gjejmë vetëm njëtrajtshmërisht: në dëshirën për bekim nga poseduesi, e pasiv në gjallim krijimtaresk a produktiv, e të mos flasim këtu për atitudë intelektuale.
Së këndejmi fjala është më shumë për atë tutelë, për atë ‘qendër’ (në terma të Hardt e Negri), që teksa lëshon orbitën e saj vegjetuese, përmes operandëve të vet tërheq magnetikisht. Dhe teksa e bën tërheqjen, valorizon nevojën e falsifikimit teorik të kundërshtarit me apologjinë e mosveprimit, përkatësisht me njëfarë parapëlqimi të dimërimit në mosndryshim të të gjithë nesh. Apologjia bërë mosveprimit dhe prirja për dimërim në mosndryshim, këtu sforcojnë dhe plazmojnë nevojën në fjalë, dalë pikërisht nga gjakimi që relata personale pronar-sejmenë do: mosndryshimi. Nevojë kjo konzervative, që më pas shenjtëron agjentin dhe fenomenin e saktësisë, si një luftë speciale nda kumbuesve të të ngjarës (çertifikueshmeria shkencore e demarkacionit mbipeshon mbi fenomenin e dorëheqjes historike nga hapësira-botë/territori). Saktësia tani jo vetëm që mëton ta zhvendosë të ngjarën, por edhe ta zëvendësojë atë. E ngjara, rrethanorja, prezenca, kanosja e paçertifikueshme i lëshojnë vendin (pa)saktësisë. Konfirmimi saktësor se paska rënë shi në shkretëtirë mbipeshon mbi fenomenin e mosrënies me shekuj të shiut në shkretëtirë. Më i lëvdueshëm bëhet fakti që gjuajtësi i cirkut qëlloi mu në mollën e vendosur mbi ballin e bukuroshes së cirkut, sesa jeta e saj, pak milimetra nën mollë, apo vetë farsat e cirkut. Të demarkohesh me Malin e Zi a Serbinë mbipeshon mbi PASJEN e Serbisë jo vetëm në kufi, por edhe brenda shtetit.
‘Baza ligjore’ nxjerr kokën mbi ontologjinë e paqenë kombëtare (në daç shqiptare në daç kosovare), dhe mbi platformën orientimore politike. Në zemër të analfabetizmit funksional duket se shkenca përnjëherë prek zenitin. ‘Drejtësia’ gjason triumfuese mbi forcën, në një vend ku veç drejtësi s’ke, teksa në nënshtratin e krejt kësaj maratonte ngjan korruptimi dhe privatizimi i përjetimit të kohës: nuk kemi relacione historike me Malin e Zi, por demarkime ndërshtetërore, si obligime (është storje në vete se si ndjesia e ‘obligimit’ është kthyer në ndjesinë prima facie të popullit që kërkoi shpëtim). E shihni fluiditetin semantik? Eh nuk është pra veçse semantik, por edhe semiotik dhe qeniesues. Kësodore sorta sejmene na del njëfarë kampione e saktësive shkencore, çetifikimeve, kalimeve në parlament, që përmes ligjërimit superstrukturor rravgohen si ‘hapa drejt shtetndërtimit’. Saktësi shkencore në një mjedis të PISA-s!
Për rrjedhojë fitojmë një kolazh të përvetuar vegjetimesh pushteti: ideologjia neoliberale, si mbështjellë e kapitalizmit, e racionalizuar nga një sjellje politike tipike konservatore: shenjtërimi intervencionist nga pushtetet nduaruarnduarshme vendore të lidhura me krimin, mbrujtur nga besnikëria epistemike e sejmenëve nga Filozofiku e ‘shoqëria civile’.
Këtu tani mbërrijmë tek një vërejtje kritike, sa e habitshme po aq e çuditshme, por dosido edhe interesante: pushteti jo vetëm që s’është i shqendërzuar, por edhe tullat që e mbajnë janë tulla laramane, disa nga qerpiçi, disa nga tulla e pjekur, disa nga bllokat e Zhitkovcit. Me fjalë tjera, atë e mbajnë blerilatifë, astrisalihë, beratbuzhalë, agonmaliqë, krenargashë etj. për ta kthyer atë në kullë bërë nga tulla të skajeve ideologjik. Sorrollopi i Petrit Zogajt e Blerim Latifit bën martesë me krenargashët a agonmaliqët, siç pati bërë më parë edhe Thaçi me zatriqët. Një proveniencë që ka kërkuar jo vetëm shpëtim, por që edhe ishte përballë shfarosjes, na del tani e kurorëzuar me dikë që as më 1998/1999 nuk ndjente nevojën të tillë.
Maslowi i tejkaluar marton nevojat e reja (personale e publike), tani dosido jo-maslowiane. Kjo në kushte të reja gjakimi e jetese, dalë nga rrumpalla e stadeve të ndjeshmërisë: tani metaligjërimi prodhohet nga brendia e gardhuar e privilegjit të ri, përkatësisht nga një rrjetë më parë e paimagjinueshme semiotike: ish-sejmenë e sejmenë të bërë bashkë. Pervertimi s’ka fund: sejmenët e parë rrjedhin nga ideologjia komuniste, këta të sotit janë të ideologjisë neoliberale, por pikëpjekjen ua gjen nën bajrak të konzervatizmit superstrukturor: ‘shtetbërja’, obligimet’, ‘integrimet’, ‘liberalizimi’ etj. Pra jo vetëm që nuk kemi pushtet të shqendërzuar, por centralizim armiqsh të djeshëm, në shërbim të jetëgjatësisë së krimit të sotëm. Krejt kjo e ligjëruar si ‘përparim’ (thuase qëllimi final i përparimit njerëzor qenka shtetbërja)
Për tu mos dukur totalisht të shkëputur nga indi nativ, dhe quazipërkimi kolektiv, këta bëjnë edhe kurorën e fundit (më shumë të provokuar se sa nga vetëdëshira): kurorë me pikën më të dobët të ndjeshmërisë politike të secilit shqiptar të Kosovës: shpëtimin e vjetit tashmë jo pak të largët të vitit 1999. Dhe këtë jo si bashkëndjesi, jo si përkim fati, por si kut përdorimi e përqëllimimi politik në shërbim të legjitimimit publik, dominimit medial, shërbestarisë dhe të jetëgjatësimit të hegjemonisë neoliberale e kriminale.
Meqë nuk shpirtëron në dhe me përditshmërinë e mesatarit, komuniteti i sejmenëve gjakon që mesatarit t’i kujtoj jo përditshmërinë, por vjetin 1999. Madje as këtë jo, por vetëm intervenimin. Mesatari natyrisht se ishte dhe mbetet i gjorë, si më 1999, ndaj që duhet t’ia dijë hallin vetes. Dhe është interesante të shohësh se si kjo vije nga ata që në ato kohë nuk ndjenin as nevojën e kërkim-shpëtimit, e që sot intervencionizmi u shërben si armë ndaj mesatarit të sabotuar. Ngjashëm si arma e ‘saktësisë’ tek puna e demarkacionit.
Në këtë mënyrë koha shpërdorohet: një polici e tërë mediatike, ‘civile’, teksa jeton e gjakon rrjedhën e kohës, injoron peshën e kohës tek i nemituri mesatar. E megjithatë në shërbim të legjetimimit të vetes, copëzimi i kohës në thërmia i shërben si njëfarë petku i ‘bashkëkohësisë’: mesatari dyshues ndaj demarkacionit dosido shihet si prapanik. Krejt kjo duke harruar se strategjia e mosndrrimit, e të mos flas ajo e avokimit të pushteteve kriminale, është konzervatizmit vetë. Nuk mund të dalësh nga konzervatizmi, me belbëzime plot liberalizëm e demokraci, apo me sulme vend a pavend ndaj besimtarëve të fesë. Kjo sepse avokimi jetëgjatë i krimit edhe më afatshkurtër të vulosë për prapanik e konzvervator, për të mosthënë si bashkëkriminel.
Si përmbledhje, nuk besoj se binarët që kanë trasuar rrugëtimin e demarkacionit do të lëvizin nga vendi apo të ndërrojnë gjarpërim. Edhe në finalizimin e këtij projekti të dëmshëm për shtetin, qendrës së pushtetit do i shërbejë një vistër e tërë, një ushtri e tërë sejmenësh. Kur Gabriel Tarde fliste për dijen dhe prodhimtarinë e intelektualëve në shërbim të ekonomi-politikës kapitaliste, thoshte se ekonomia kapitaliste zgjedh diturinë/njohjen vetëm si vlerë përdorimi, jo si vlerë e së vërtetës. E sejmanët tanë të tillë janë, të tillë do mbesin. Pa iu qasur asnjëherë shërbimit të vërtetës.