Bashkimi Evropian: Të gjitha vendimet për urën në Mitrovicë duhet të bëhen në kuadër të Dialogut

Bashkimi Evropian: Të gjitha vendimet për urën në Mitrovicë duhet të bëhen në kuadër të Dialogut

Hapja e Urës së Ibrit është bërë temë diskutimi së fundmi në vend.

Lidhur me këtë janë deklaruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Zëdhënësja Ioanna Lachana tha se çdo vendim lidhur me urën në fjalë duhet të bëhet në kuadër të dialogut në Bruksel .

Ajo deklaroi se hapja e urës është marrëveshje e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, tha Lachana për KlanKosovën.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë i ftoi palët që të zbatojnë çdo marrëveshje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, deklaroi Lachana.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe policia.

Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut Veton Elshani, i pyetur në lidhje me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit për trafik, tha se “policia është e gatshme të zbatojë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës”.

Për këtë temë ka reaguar edhe Lista Serbe, duke thënë se hapja e urës duhet të bëhet në pajtim me serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Shpërndaje në: