Bashkëshorti e pranon se ishte përgjegjës për vrasjen e Shqiponjës, tregon në gjykatë versionin e tij të ngjarjes

Bashkëshorti e pranon se ishte përgjegjës për vrasjen e Shqiponjës, tregon në gjykatë versionin e tij të ngjarjes

Para Gjykatës së Qarkut Baden AG të mërkurën, në ditën e tretë të procesit gjyqësor, i akuzuari për vrasjen e Shqiponja Isufit ka përshkruar se si ka ndodhur vrasja e gruas së tij ,më 25 shtator 2022. Ai ka pranuar se ishte përgjegjës për vdekjen e saj, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, ai nuk ishte dakord me kualifikimin e krimit si “vrasje e rëndë”.

Krimi ndodhi në mëngjesin e hershëm të 25 shtatorit 2022. Burri u zgjua dhe dëgjoi spërkatjen e ujit nga banja. Kur shikoi, pa gruan duke bërë dush në vaskë. Sytë i ranë në celularin e saj ku ai, siç e ka thënë në deklarimin e tij para gjyqit ka parë një skenë eksplicite të gruas së tij me një burrë tjetër, shkruan sda.ch.

Ai ishte i tronditur, “sikur të më kishte goditu korrenti”. Gruaja donte t’ia hiqte celularin nga duart. Pati një përleshje. Në një moment ata ranë së bashku në vaskë, e cila kishte ujë në të. “Ne të dy luftuam shumë.” Pastaj ai e shtyu nën ujë. “Në një moment ajo ndaloi së lëvizuri”. Ai rrëfen i përlotur se nuk donte ta vriste. Pas kësaj e kapi paniku. Ai hodhi në ujë tharësen e flokëve (të kyçur në korrent), doli nga banja, mbylli derën dhe e shtyu çelësin përsëri poshtë derës. Sipas prokurorisë ai ka dashur të simulojë vetëvrasjen e gruas.

I pyetur nga gjyqtari për motivin e vrasjes, i akuzuari tha: “Edhe unë pyes veten për këtë”. Ai nuk kishte zemërim apo ndjenjë xhelozie. Në momentin që ka parë foton e kanë pushtuar emocionet.

Para se të shihte fotot, ai nuk dinte asgjë për marrëdhënien jashtëmartesore të gruas, tha burri. Nuk kishte asnjë shenjë për këtë – përveç sjelljes së saj të ndryshuar me ndryshime të rënda të disponimit, në muajt para krimit. Në korrik 2022 ai e kishte pyetur atë në mënyrë specifike nëse “ishte i përfshirë ndonjë person i tretë”. “Ajo qe përgjigjur e indinjuar që unë fare mund të bëja këtë pyetje”, përcjell albinfo.ch. Për të dy ka vlejtur gjithmonë rregulli që nuk ka vend për marrëdhënie jashtëmartesore.

Më pas ai e monitoronte vazhdimisht me gjurmues, madje edhe kundër dëshirës së saj. I pandehuri ka shpjeguar se ka pasur kamera kudo në shtëpi për shkak të frikës së gruas së tij nga hajdutët. Kjo nuk e shqetësonte atë.

Gjykimi vazhdon sot. Të premten pritet verdikti.

Shpërndaje në: