Bashkëjetesa përpara martesës, është diçka e mirë apo e keqe?

Bashkëjetesa përpara martesës, është diçka e mirë apo e keqe?

Kohë më parë, bashkëjetesa përpara martesës as që diskutohej, ndërkohë në ditët e sotme shihet si një fenomen normal. Mirëpo ka disa gjëra që duhet të merren në konsideratë, përpara se të jetoni së bashku. Gjëja më thelbësore është të kuptoni arsyen se pse po jetoni bashkë. Doni të kuptoni nëse ia dilni të jetoni në një shtëpi? Mos vallë njëri nga të dy ju po e shmang martesën? Nëse është kështu, pse po e shmang?

Një bisedë mes jush për ta kuptuar këtë arsye është shumë e rëndësishme, pasi do të shmangë më vonë problemet që mund të keni gjatë jetesës së bashku. Gjithsesi qëllimi i këtij artikulli është të nxjerrë në pah të mirat dhe të këqijat e bashkëjetesës, duke marrë parasysh se ajo do të përfundojë në martesë.

Anët pozitive:

1. Ndarja e financave.
Nëse jetoni të dy në shtëpi me qera të ndryshme, sigurisht do të shpenzoni dy qera në fund të muajit. Ndërkohë që nëse jetoni bashkë, mund ta kurseni njërën nga qeratë për të ardhmen tuaj bashkë. Kjo është arsyeja kryesore që i shtyn çiftet e reja të jetojnë bashkë, pasi jo vetëm kuptojnë se si janë në bashkëjetesë me njëri-tjetrin, por edhe kursejnë duke jetuar bashkë për të ardhmen e tyre.
2. Do të përjetoni më pak stres, kur të martoheni.
Martesa sjell me vete shumë stres. Nëse nuk keni jetuar më parë me personin tjetër, do të mjaftoheni thjesht nga bisedat që keni bërë, apo nga kafet që keni pirë. Ama një thënie e vjetër popullore thotë se njeriun e njeh shtëpia, pra në thelb, ju e njihni një person duke jetuar me të. Në këtë mënyrë do të mësoni mbi të gjitha zakonet që ka personi që doni, dhe kjo gjë do t’ju heqë një stres shumë të madh në momentin e martesës. Të paktën, nuk do të keni më surpriza.
3. Bëheni më të afërt dhe ndërtoni një lidhje më të fortë.
Intimiteti është një aspekt tepër i rëndësishëm në çdo marrëdhënie, por më tepër në martesa. Kur përmendim fjalën “intimitet”, nuk nënkuptojmë vetëm atë fizik apo seksual, por edhe intimitetin emocional dhe intelektual, të cilat kanë rëndësinë e tyre. Kur një çift i ka gjithë këto komponencë në sinkron, atëherë kuptohet që marrëdhënia është e fortë dhe mund të hidhet me siguri hapi drejt martesës. Në të kundërt, mund të përpiqen të dy në çift për t’i rregulluar gjërat mes njëri-tjetrit.

Anët negative:

1. Personat e tjerë mund të mos e aprovojnë.
Ky është një problem i madh, sidomos kur bëhet fjalë për personat e afërm, sidomos për familjarët e çiftit. Nëse të dyja familjet nuk janë dakord, mund të bëhen shumë pengesë për bashkëjetesën. Edhe kur është vetëm njëra dakord dhe tjetra jo, sërish mbetet problem. Madje këto pengesa mund të bëhen shumë të mëdha, aq sa edhe të shkaktojnë edhe prishjen e marrëdhënieve, ndaj përpara se të merret vendimi për të jetuar bashkë, duhet të mendohen edhe vendimet e të tjerëve përreth.
2. Mungesa e mbështetjes mund ta dobësojë marrëdhënien tuaj.
Të jetosh me partnerin apo partneren është një vendim i rëndësishëm dhe jo gjithmonë i lehtë. Nëse nuk keni mbështetje nga të tjerët, nga familjarë apo rrethi shoqëror, kjo gjë do ta prekë marrëdhënien tuaj dhe jo gjithmonë për mirë. Të jetosh me dikë ka sfidat e veta dhe këtë mund ta kuptoni, nëse më parë keni ndarë qeranë me miqtë apo mikeshat tuaja. Pa një mjedis mbështetës përreth, marrëdhënia juaj mund të vendoset në risk, sepse mund të dalin në pah vështirësi që ti dhe partneri juaj mund të mos i keni hasur më parë.
3. Mund të kurseni para, por kjo gjë mund të dobësojë lidhjen tuaj.
Siç e përmendëm tek anët pozitive, mundet të kurseni duke jetuar bashkë, por me ato kursime mund të lindin edhe debate mes jush. Psh, njëri nga ju mund të mendojë se është e nevojshme blerja e një makine, ndërsa personi tjetër jo. Kjo gjë sigurisht do të bëjë të lindin debate, pasi janë kursime të të dyve ato që diskutohen. Nga ana tjetër, edhe për shpenzimet që do të bëni mund të keni kundërshtime. Ndonjë nga ju do të mendojë se ia vlen të blejë diçka, personi tjetër mendon se nuk ia vlen dhe nuk e sheh të arsyeshëm atë shpenzim. Nëse këto debate do t’i kishe me disa miq që ndaje qeranë, në fund do të vendoste shumica. Ndërkohë me personin që do, nuk funksionon kështu. Mund të përfundoni pa rënë dakord dhe kjo gjë do të dobësojë lidhjen tuaj.

Shpërndaje në: