Barileva nxjerr artefakte unike të civilizimit parahistorik (Foto)
Ende pa e pastruar një pjesë të artefaktit, e ka komentuar atë si diçka të veçantë. “Është baza e një ene. Të punuar kësisoj nuk më ka rastisur të shoh”, ka thënë ai teksa ka larguar lloçin prej veprës së punuar në argjilë. Vijat në këtë gjetje formojnë edhe figura gjeometrike. E artefakti është dëshmi se në kohën e neolitit apo të gurit, popullsia që asokohe ka jetuar në Barilevën e sotme, ka pasur goxha shije për art. Janë dhjetëra gjetje në një hapësirë katër me katër metra. Krejt në fillim të shtresës arkeologjike të kësaj sonde, arkeologët kanë hasur në artefakte të ndryshme, përfshirë edhe fragmentet e figurinave antropomorfe të punuara prej argjilës. Një torzo, apo trup njeriu i punuar rreth 4 mijë deri në 6 mijë e 500 vjet më parë është dëshmi e një niveli fort të lartë artistik për kohën që përfaqëson.
“Është artefakti i parë në këtë sondë. Është një torzo apo pjesë e trupit të një figurine shumë të madhe. Karakteristikë e saj është që edhe në trup paraqitet një formë e kokës. Pra artisti i asaj kohe ka qenë shumë profesional dhe me imagjinatë të madhe. Trupi është bërë disi në formë hunde dhe tek krahët paraqiten sytë. Në neolit kemi parë gjithçka, por këtë jo. Pra bëhet fjalë për gjetje ekskluzive”, ka thënë arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Luan Gashi, i cili tash e tre vjet u prin gërmimeve në fshatin rreth 15 kilometra larg kryeqytetit, në fshatin Barilevë.
“Është pak më monumentale, pasi e ka kokën paksa më lart. Qind për qind ka të bëjë me figurë kulti”, ka thënë Gashi që tash e dhjetë ditë gërmon së bashku me Besnik Gashin, Burim Rexhepin, Sokol Sallahun, Dukagjin Mehmetajn e Kushtrim Gashin. Në sondën prej 16 metrash katrorë, ku kanë improvizuar një tendë nëpërmjet najlonit sherri i të ftohtit, arkeologu ka thënë se pothuajse secila figurinë e Barilevës është e pikturuar.