Barcelona shpenzon 1 miliard e gjysëm në projektin ‘Camp Nou’, në kohë krize të thellë financiare

Barcelona shpenzon 1 miliard e gjysëm në projektin ‘Camp Nou’, në kohë krize të thellë financiare

Një ‘Camp Nou’ më i madh dhe modern, dy vjet larg tij dhe 1 miliard e gjysëm të shpenzuara për ristrukturimin e impiantit. E gjitha kjo në krizë të plotë financiare, falë së cilës vetëm pak muaj më parë humbën emblemën e klubit Lionel Messi.

Për Barcelonën situata është kaotike, e megjithatë klubi i ka dhënë dritën jeshile ristrukturimit të stadiumit të tyre Camp Nou, përmes një huaje të re deri në një miliard e 500 milionë euro, për projektin e impiantit të ri.

Rindërtimi, sipas asaj që është planifikuar, duhet të përfundojë në vitin 2025. Stadiumi ka shumë të ngjarë të mbyllet për sezonin 2023-24, duke bërë që Barcelona të luajë, me shumë mundësi, në stadiumin Olimpik në Montjuic, për tu kthyer në Camp Nou vetëm në sezonin 2024-25.

Rinovimi përfshin gjithashtu një zgjerim të kapacitetit në 105,000 spektatorë. Projekti përfshin edhe ndryshime të rëndësishme jashtë stadiumit: zyra të reja, hapësira të gjelbra, hapësira eventesh, një shesh patinazhi dhe një hotel, ndërsa një shtesë e rëndësishme do të jetë çatia e mbuluar me 30 mijë metra katrorë panele diellore. Energjia e gjeneruar nga ato panele do të fuqizojë një ekran 360 gradë që do të vendoset brenda stadiumit.

Votimi online u mbajt të dielën dhe 87% e 48,623 votuesve mbështetën rishikimin e propozuar të stadiumit. 5055 të tjerë votuan kundër projektit ndërsa 875 pjesëmarrës abstenuan. Plani, i quajtur Espai Barca, do të financohet nga një hua e palës së tretë, por shumë anëtarë, nisur nga kriza financiare e klubit, kanë shprehur shqetësimet e tyre pikërisht për aspektin financiar të projektit.

Shpërndaje në: