Barcelona – PSG: Gjithçka duhet të dini para superndeshjes që luhet sonte

Barcelona – PSG: Gjithçka duhet të dini para superndeshjes që luhet sonte

Në Camp Nou sot (e martë) zhvillohet ndeshja e parë e 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndërmjet Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit.

Faza e eliminimit direk në garën më të madhe evropiane për klube fillon këtë javë dhe skuadrat do t’i zhvillojnë ndeshjet e para dhe padyshim që përballja kryesore e kësaj faze është ndërmjet kampioni francez dhe gjigantit katalunas.

Për herë të fundit këto skuadra u takuan po në 1/8 e finales në sezonin 2016/2017, kur Blaugranët bënë një rikthim historik duke fituar me rezultat të përgjithshëm prej 6-5.

Të rejat e skuadrave

Barcelona

(Fotomontazh: Twitter/Barca Buzz)

Katalunasit edhe në këtë sfidë do të jenë pa shërbimet e emrave, si Ansu Fati, Sergi Roberto, Philippe Coutinho, Martin Braithëaite e Ronald Araujo.

Në anën tjetër në stërvitje është kthyer veterani i mbrojtjes, Gerard Pique, mirëpo nuk pritet angazhimi i tij në këtë sfidë.

Paris Saint-Germain

(Foto: Twitter/Paris Saint-Germain)

PSG ka mungesa të emrave të mëdhenj në udhëtimin në Kataluni. Ish-sulmuesi i Barcës, Neymar, nuk mund të luajë, po ashtu edhe ish-anësori i Real Madridit, Angel Di Maria.

Colin Dagba dhe Juan Bernat janë mungesat tjera, derisa lajm i mirë është kthimi i mesfushorit italian, Marco Verratti.


Formacionet e mundshme

Barcelona (4-3-3): Ter Stegen; Mingueza, de Jong, Lenglet, Alba; Pjanic, Busquets, Pedri; Dembele, Messi, Griezmann.

(Foto: The Hard Tackle)


Statistika

Barcelona i ka fituar tri ndeshjet e fundit përballë PSG-së në shtëpi në të gjitha garat. Asnjë skuadër franceze nuk i ka mposhtur katalunasit në terren të tyre në Ligën e Kampionëve deri më tani.

Neymar është golashënuesi më i mirë në ndeshjet ndërmjet këtyre skuadrave me shtatë gola. Ndërsa të gjithë ua ka shënuar parisienëve kur luante për Blaugranët.

Barca i ka shënuar së paku dy gola në pesë përballjet e fundit me ekipin francez në të gjitha garat.

Trajneri aktual i PSG-së, Mauricio Pochettino, është përballur 11 herë me Barcelonën dhe ka arritur të nxjerrë vetëm një fitore (katër barazime dhe gjashtë humbje).

Barcelona e ka eliminuar Parisin në secilën prej tri përballjet e fundit në fazat e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.

Lojtari për t’u shikuar

(Foto: Instagram/leomessi)

Me gjithë emrat e mëdhenj në këtë përballje, si Kylian Mbappe, Antoine Griezmann e Marco Verratti, nuk ka dyshim se Lionel Messi mbetet lojtari që do ta përcjellin futbolldashësit.

Parashikimi

(Foto: Twitter/BBC)

Barcelona nuk ka pasur një sezon të qëndrueshëm deri më tani, ndërsa mungesa e Neymar dhe Di Maria, e vë në situatë të pakëndshme PSG-në. Prandaj, ekspertët parashikojnë një barazim me gola ndërmjet këtyre skuadrave.

Shpërndaje në: