Barcelona ofron 60 milionë euro për “heroin” spanjoll
Jo vetëm Nico Williams, Barcelona tenton edhe goditjen Dani Olmo.
Një tjetër futbollist që dha kontribut të madh në suksesin e kombëtares spanjolle në Euro 2024.
Madje mesfushori i avancuar i Leipzigut në Gjermani, krijoi një “kimi” për t’u admiruar me sulmuesin e Bilbaos dhe Lamine Yamal, talentin e jashtëzakonshëm të ekipit katalanas.
60 milionë euro është oferta e klubit spanjoll për Leipzigun, ndërkohë që Olmon e pret një kontratë 6-vjeçare.
Gjithsesi, gjermanët kërkojnë më tepër miliona për të lënë të lirë 26-vjeçarin, për të cilin ka interesim edhe nga Manchester City.
Por në “Camp Nou” ka optimizëm në lidhje me arritjen e marrëveshjes finale, për t’i dhuruar teknikut Flick një përforcim fantastik.
Olmo ka dalë nga akademia e Barcelonës dhe shpreson të luajë përsëri me skuadrën e zemrës.
Dhe, rikthimi si kampion Europe do të ishte më i bukuri për të.
Pas aventurave në Kroaci te Dinamo e Zagrebit dhe në Gjermani te Leipzigu, katalanasi është gati të jetë përsëri pjesë e Barcelonës, tashmë e skuadrës së parë./GazetaExpress/