Barcelona e mbyll ndeshjen ndaj Levantes me dramë, De Jong hero i tyre

Barcelona e mbyll ndeshjen ndaj Levantes me dramë, De Jong hero i tyre

Barcelona ka dalë me pikë të plota nga udhëtimi ndaj Levante, në një ndeshje ku u shënuan pesë gola.

Në një ndeshje ku Levante pa tri penallti në favor të sajën, Barcelona arriti të merrte pikë të plota me një fitore dramatike 2:3.

Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll pa gola, me Levanten që arriti të krijonte më shumë raste shënimi.

Goli i parë erdhi pikërisht nga vendasit, të cilët në minutën e 52’ shënuan me Morales. Ai u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Vetëm katër minuta më vonë, një tjetër penallti u akordua në favor të Levante. Kësaj radhe përsipër mori Marti, por goditjen e tij e priti Marc Andre ter Stegen, shkruan lajmi.net.

Barcelona inkuadroi në lojë Pedri dhe Gavi në minutën 57’ dhe arriti të ndryshonte tempon e lojës.

Ousmane Dembele bëri një harkim të mirë në minutën e 59’, harkim të cilit iu përgjigj Pierre Emerick Aubameyang, për të dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë.

Katër minuta pas tij, Pedri Gonzalez çoi shifrat në 1:2, me një goditje të bukur tokazi.

Por, këtu nuk mbaroi gjithçka. Xavi kishte edhe disa lëvizje në mendje dhe këto lëvizje e kthyen ndeshjen në një dramë të vërtetë. Ai inkuadroi në lojë Clement Lenglet (80’). Francezi shkaktoi penallti në minutën e 83’ – e treta për Levante në këtë ndeshje.

Melero u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe çoi shifrat në 2:2.

Barcelona provoi të kthente avantazhin. Në fushë futi edhe Adama Traore dhe Luuk de Jong. Ky i fundit shënoi gol me kokë në minutën e 92′, pas një harkimi të mirë të Jordi Alba.

Barca tashmë shkon në 60 pikë për pozitën e dytë në tabelë, me 30 ndeshje të luajtura. Levante mbetet me 22 pikë për pozitën e parafundit.

Shpërndaje në: