Barça e urdhëron Dembelen të largohet nga klubi menjëherë

Barça e urdhëron Dembelen të largohet nga klubi menjëherë

Barcelona e ka urdhëruar Ousmane Dembelen të largohet nga klubi menjëherë, pasi trajneri Xavi Hernandez nuk e thirri në ekip për takimin e sotëm me Athletic Club në Kupën e Mbretit.

Xavi e kishte njoftuar Dembelen të mërkurën se do të dëbohej nga Camp Nou nëse nuk do të nënshkruante marrëveshje të re.

Anësori francez nuk po tregon vullnet për ta vazhduar marrëveshjen me kushte të reja, zbuloi të enjten drejtori sportiv Mateu Alemany, duke e hapur rrugën për largimin e tij nga Camp Nou.

Duke folur në një konferencë për media para ndeshjes me Athletic Club, Alemany tha: “Me Ousmane dhe menaxherët e tij, ne i nisëm bisedimet rreth muajit korrik. Gjatë gjithë kësaj kohe, gati shtatë muaj, ne kemi biseduar, Barça ka bërë oferta të ndryshme, ne jemi përpjekur ta gjejmë një rrugë që lojtari të vazhdojë me ne dhe ato oferta janë hedhur poshtë vazhdimisht nga menaxherët e tij”.

“Duket e qartë për neve se lojtari nuk dëshiron të vazhdojë në Barcelonë dhe nuk është i përkushtuar ndaj projektit të Barçës”.

Ai theksoi: “Ne i thamë atij dhe menaxherëve të tij se ai duhet të largohet nga klubi menjëherë, sepse ne duam lojtarë të cilët janë të përkushtuar ndaj projektit. Ne presim që largimi i tij të ndodhë deri më 31 janar”.

Shpërndaje në: