Baraliu: KQZ-ja ka pasur kohë të mjaftueshme për të bërë përgatitjet teknike dhe operacionale

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka komentuar procesin e numërimit të votave pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se institucioni kishte kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur më mirë.
Në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, Baraliu tha se KQZ-ja kishte në dispozicion një periudhë të gjatë për të kryer përgatitjet teknike dhe organizative të nevojshme, por sipas tij, këto nuk janë realizuar në nivelin e duhur.
“KQZ ka pasë një kohë kësaj radhe për të zhvilluar aktivitetet e tij të rregullta, një mandat katër vjeçar të një qeverisje, po ashtu edhe në periudhën e shpalljes së zgjedhjeve gjashtë muaj para se të mbahet ky cikël zgjedhore, edhe një muaj e një ditë plus më tepër fushatë”.
“Kjo do të thotë se KQZ-ja ka mundur të bëjë përgatitjet teknike dhe operacionale që do të thotë nuk janë bërë. Kjo rezulton kështu se KQZ-ja siç është e organizuar bashkë me sekretariatin dhe komisionet komunale zgjedhore do të duhej të ketë një rirreshtim tjetër, gjë që fatkeqësisht nuk është bërë me ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet që ka ndodhur para një viti e sa”, tha ai.