Baraliu, dikur mbështetës i madh i VV’së: Me 9 shkurt VV’në e pret rënie e thellë, ndoshta edhe nga vendi i parë
Analistit Bleron Baraliut, i cili dikur ishte edhe mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë një krahasim mes dështimit në zgjedhjet në ShBA dhe dështimit që sipas tij pritet t’i ndodh VV’së në zgjedhjet e 9’t shkurtit, shkruan Periskopi.
Në një status, Baraliu ka thënë se VV’në e pret një rënie e thellë ndoshta edhe nga vendi i parë.
“Siç e thashë, nuk është se kam bërë matje të opinionit se ku po shkon VV, dhe doemos nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot besoj se prapë do të ishte afër 40%, por në nivel makropolitik dhe mbi dinamikën e disponimit/erërave që po fryjnë, nuk do të habitesha fare nëse deri në me 9 Shkurt VV rrezikon një rënie të thellë, madje ndoshta edhe krejt vendin e parë!!!”- ka shkruar Baraliu në Facebook.
Postimi i plotë:
Rruga e VV drejt dështimit pas një mandati të plogësht dhe nisje fushateje plotë nënçmim e dëshprim (alla Kamala Harris) – a mund të bie VV në 30%?!
Nënçmimi që Albini po i bënë votuesit dhe qytetarit të Kosovës, si në fyerjen e inteligjencës me statistika të rrëshqitshme, ashtu dhe në rastin e sotëm duke e marginalizuar votuesin vendor karshi ‘punëtorit më të zellshëm’ dhe ‘patriotit më të denjë’ që nuk u gjetka në Kosovë por në diasporë ka gjasa serioze të shëndrrohet në një dush të ftohtë ngjajshëm me atë që ka përjetuar establishmenti politik i demokratëve të Harris e co.
Në një masë të madhe, Kurti ka ardhur në pushtet pikërisht duke mvetësuar metoda tipike të trajtimit të votuesve si ‘dele’ apo ‘turma lehtë të manipulueshme’ me retorikë superfluoze e shpesh tautologjike – madje edhe duke fyer inteligjencën e vet bashkë kolegëve të tij. Për këtë arësye paralelet mes Albinit dhe Donald Trump janë të forta, si në rastin e trajtimit të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Madje, që të dy ngriten rëndomë mbi egot e tyre për të kompensuar pasigurinë e thellë në ato që (s)posedojnë si qenie biologjike apo njerëz të thjeshtë (megjithëse unë mendoj se Albini ka rënë në hendekun e mosbesimit tek pas depresionit mbi braktisjen që ia kanë bërë shokët e ngushtë që ikën në PSD)…
Trajtimi i çështjeve që po ngris më lartë kërkon kohë e mund (që nuk ia vlen për një ‘punëtor të zellshëm’ e ‘patriot’ nga diaspora siç jam vet😅) dhe nuk kam disponim as kohë t’i shtjelloj si duhet, por në vend të kësaj po sjell në vegëz më poshtë një artikull nga CNN që sqaron në mënyrë të detajuar shkasin dhe pasojat që kanë sjellur dënimin e rëndë nga votuesit e ‘injoruar’ dhe ‘nënçmuar’ ndaj demokratëve amerikanë në zgjedhjet presidenciale.
Ndërsa, për reflektim, po shtoj edhe ca vështrime sipërfaqësore:
1. Patriotët më të mëdhenjë, në sasi e ndikim, janë ata që kanë qëndruar stoikisht në atdhe dhe kanë ndërtuar të ardhmen substanciale të vendit dhe kombit mbi kurrizin dhe sakrificat e tyre. Dashuria për atdhe është më e theksuar kur je në gurbet, por kjo nuk do të thotë që patriotizmi im, psh., ka gjasa të matet me motrat e mia që kanë qenë në UÇK bashkë me të fejuarit e tyre dhe sot ndërtojnë e kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës nga Prishtina, jo New Yorku e Los Angelosi (nga ku po shkruaj:)
2. Nuk është që kam bërë matje serioze për të thënë me far sigurie sado të lehtë, dhe kam theksuar para ca ditësh që nuk është e vërtetë se VV po anketon rreth 35% (siç ishte publikuar), por nëse Albini dhe VV kujtojnë se nuk kanë fare gjasa të humbin gjysmën e votuesve alternativ dhe më shumë — sidomos pas fitues së Trumpit dhe sinjifikancës së saj rreth politikave në Evropën lindore/juglindore — lajthiten rëndë. Nëse VV ka pasur gjasa të rritet nga 27 në 50% mbi protestën e votuesve, e kundërta gjithsesi është e besueshme — pra unë shoh mjaft skenarë në analizat e mia që mund ta ulin VV në 30-35% dhe më poshtë!!! 3 muaj në politikë (dinamike) mund të jenë një shekull!
3. Përçmimi qytetarëve dhe biznesmenëve që jetojnë e punojnë në Kosovë bashkë me servilizmin ndaj militantëve në diasporë nuk është vetëm politikisht një gafë e rëndë për Albinin, por edhe një marri në nivel intelektual e njerëzor. Unë i kuptoj drejt rezervat e thella të Albinit ndaj biznismenëve kosovarë për shkak të rrethanave mbi të cilat shumë prej tyre kanë ndërtuar kapitalin fillestar, por njëkohësisht njoh edhe rrethanat mbi të cilat shumë prej biznismenëve të jashtëm (shqiptarë e jo shqiptarë) kanë ngritur piramidat e tyre – e ndaj tyre Albini përdor trajtim të një standardi të dyfishtë, duke ju përkulur kapitalizmit gjerman e amerikan, për shembull, përderisa përjashton e urren atë kosovar.
Siç e thashë, nuk është se kam bërë matje të opinionit se ku po shkon VV, dhe doemos nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot besoj se prapë do të ishte afër 40%, por në nivel makropolitik dhe mbi dinamikën e disponimit/erërave që po fryjnë, nuk do të habitesha fare nëse deri në me 9 Shkurt VV rrezikon një rënie të thellë, madje ndoshta edhe krejt vendin e parë!!!😱