Baraliu: Bojkotimi i seancave nga partia në pushtet, i pazakontë
Mazllum Baraliu, analist politik, duke folur për aktualitetin politik në vend tha se zhvillimet e fundit në Kuvend janë jo të arsyeshme, jo pozitive.
Sipas tij, raste të tilla ka pasur edhe më herët, kur për inate politike për qëllime të caktuara, që ndonjëherë janë të dëmshme për vendin segmente të caktuara të subjekteve politike dirigjojnë sjellje të tilla që dëmtojnë marrëveshjet ndërkombëtare por edhe të ligjeve të rëndësisë vitale.
Në magazinën informative “InfoPlus”, në RTK, Baraliu tha se mospjesëmarrja e deputetëve të partisë në pushtet në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Procesin e Subvencionimit të Teksteve Shkollore, është e pazakontë dhe nuk është shembull i mirë që të bojkotojnë mbledhjet e tilla, qoftë ato të komisioneve, qoftë ato të seancave plenare.
“Çdo gjë që është në korniza të një beteje politike, që i takon opozitës për të korrektuar veprimet e pozitës dhe për të luftuar për kauza të caktuara, që janë në interes të qytetarit të shtetit, është krejt normale, sepse, fundi i fundit, roli i opozitës është që të bëjë beteja politike, por në kuadër të kornizave të së arsyeshmes, në kuptimin politik dhe etik e moral”, tha Baraliu.
Lidhur me moskoordinimin në mes të partisë në pushtet dhe të atyre opozitare në mbledhjet e komisioneve, Baraliu vlerëson se kjo është pasojë e një mungese të një kulture politike dhe përgjegjësie politike, kur “në vend që të avancojmë në zhvillimin e demokracisë parlamentare, kemi degraduar”.