Banorët e Koçanit rrënojnë kafenenë e pronarit të diskotekës ku ndodhi tragjedia

Pas zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku vdiqën 59 persona, banorët e këtij qyteti maqedonas e shprehën zemërimin e tyre në rrugë.
Ata e kanë shembur kafenenë “Klasik”, e cila është në pronësi të DJ, pronarit të diskotekës së lartpërmendur.
Qytetarët e mbledhur fillimisht kanë gjuajtur me gurë kafenenë, e më pas kanë shkatërruar inventarin dhe sendet e tjera. Dyert dhe dritaret e objektit janë thyer, ndërsa karriget dhe tavolinat kanë përfunduar në rrugë.
Forcat e policisë kanë qenë të pranishme në vendngjarje, por nuk kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të parandaluar shkatërrimin e lokalit.
Кочани, Македонија – 17 Март, 2025 pic.twitter.com/mVzWXqBXZn
— Пиреј (@ekakodane) March 18, 2025
Pasi kanë shkatërruar kafenenë, një grup qytetarësh janë drejtuar drejt shtëpisë së pronarit të diskotekës, ku kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë.
Në atë moment, një grua nga turma bërtiti: “Lërini fëmijët, le të gjykojnë autorin, ky nuk është faji i shtetit, ky është faji i një njeriu me emër dhe mbiemër”.
Кочани, Македонија – 17 Март, 2025 pic.twitter.com/mVzWXqBXZn
— Пиреј (@ekakodane) March 18, 2025
Fjalët e saj inkurajuan më tej turmën të tentonte të hynte në oborrin e shtëpisë, ndërsa disa qytetarë e gjuajtën me gurë objektin. Megjithatë, policia arriti të kontrollojë turmën dhe të parandalojë incidente më të rënda,raporton GazetaExpress, transmeton Periskopi.
Siç raportuan më parë mediat maqedonase, nga hetimet rezultoi se diskoteka “Puls” ku shpërtheu zjarri, funksiononte me leje të falsifikuar të veprimtarisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se leja është lëshuar nga ministria me vulë origjinale, por në librat zyrtarë me atë numër është regjistruar dokumentacion krejtësisht tjetër.
Për këtë arsye është ndaluar dje Kreshnik Bekteshi, ish-ministri i Ekonomisë, pasi dyshohet se ministria e tij ka qenë përgjegjëse për dhënien e lejeve të falsifikuara. Përveç Bektershit, po hetohet edhe roli i Sekretares së Shtetit, Razmena Çekiq Gjuroviq./Periskopi/