Ballkani shkëlqen në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Ludogoretsit në Champions

Ballkani shkëlqen në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Ludogoretsit në Champions

Ballkani e ka nisur me fitore ciklin kualifikues në Ligën e Kampionëve, duke treguar sërish fuqinë në Evropë.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja mposhti sonte Ludogoretsin, me kampionët bullgarë që vlerësoheshin si favorit deri para ndeshjes.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin 2:0. Kjo ishte përballja e parë mes këtyre dy skuadrave në kuadër të raundit të parë kualifikues në garën më prestigjioze për klube.

Pjesa e parë u dominua në tërësi nga kampionët e Kosovës, teksa golin e gjeten në fundin e saj.

Ishte Meriton Korenica që shënoi në minutën e parë shtesë – 45+1’.

Skuadra nga Suhareka e nisi më mirë edhe pjesën e dytë, duke dyfishuar epërsinë vetëm pas dhjetë minutave.

Qëndrim Zyba shënoi në minutën e 55-të, teksa asistues te goli i tij ishte Korenica.

Ballkani ia doli në vazhdim ta menaxhojë ndeshjen siç duhet, duke ruajtur edhe avantazhin prej dy golave.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 korrik, në “Ludogorets Arena”.

Shpërndaje në: