Ballkani me formacion sulmues kundër Slavisë në Pragë
Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes Sllavia Praga – Ballkani
Ballkani ka udhëtuar në Pragë për ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit G. Skuada e Ilir Dajës ishte shumë afër fitores kundër Cluj në Prishtinë javën e kaluar, por një gol i shënuar në minutat e fundit ia mohoi fitoren kampionit kosovar.
Daja nuk ka ndryshuar fare as në këtë ndeshje, ku ka startuar me formacion 4-3-3, por që ka disa ndryshime që ai i ka bërë në mesfushë dhe në mbrojtje.
Frashëri ka startuar në portë, kurse para tij në mbrojtje janë; Armend Thaçi, Sinani, Jashanica dhe Astrit Thaçi.
Dellova sonte ka startuar si mesfushorë defansivë kurse Emerllahu dhe Korenica do të jenë në pozita më të avancuara të mesfushës. Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani dhe Nazmi Gripshi janë treshja sulmuese e Ilir Dajës në këtë ndeshje.
Ndërkohë trajneri i Jindřich Trpišovský i Sllavia Pragës ka startuar me sistem më të balancuar, 4-2-3-1. Mandous është në portë kurse para tij luajnë katërshja mbrojtëse: Doudera, Ousou, Kacharada dhe Jurosek.
Tiehl dhe Provod janë dyshja e mesfushorëve defansivë të Sllavias kurse me të avancuar në mesfushë janë: Masopust, Lingr dhe Schranz. I vetëm në sulm është Olayinka.
Të gjitha skuadrat në Grupin G kanë nga një pikë në ndeshjet e para dhe kanë të njëjtin golëdallim.
Formacionet zyrtare:
Slavia Praga – Ballkani
Ndeshja fillon në ora 18:45 në stadiumin “Eden Arena” të Pragës në Republikën Çeke.