Ballkani është i mbushur me monumente të Millosheviqit tashmë

Ballkani është i mbushur me monumente të Millosheviqit tashmë

Memorialet mund të shërbejnë për shumë qëllime të ndryshme në çdo shoqëri – dialogu social, rikonstruksioni social, demokratizimi, riparimi simbolik, pajtimi dhe proceset paqe-ndërtuese, që t’i përmendim veç disa.

Në anën tjetër, ato poashtu shërbejnë si mjete që ndihmojnë definimin e identitetit kombëtar, krijojnë kohezion social rreth politikës dhe çështjeve sociale.

Ato poashtu mund të jenë falsifikime të fakteve historike të shkruara në gurë, vepra të përçmueshme këto që e dëmtojnë interesin publik, i ofendojnë viktimat e mizorisë, e të tjera.

Pyetja se kush, çka dhe si çdo shoqëri duhet të vendosë të memorializojë është e një rëndësie kruciale, veçanërisht në shoqëri si Serbia, e cila është ende e ngarkuar me të kaluarën e kohës së luftës.

Për më shumë, elita aktuale politike në Serbi është e njëjta me atë që u lind politikisht dhe faktikisht në luftërat e viteve 90.

Ishte ngritur me ideologjinë e Millosheviqit për Serbinë e Madhe që solli zjarr dhe tërbim, dëshpërim dhe vdekje për të gjithë, joserbët e serbët, ndonëse në një mënyrë joreciproke gjatë kohës së agresionit serb të Millosheviqit.

Kënd dhe çka, si shoqëri, zgjedhim të falim është ndoshta më shumë në varësi të politikës se për atë që vendosim të mbajmë mend.

Të kujtuarit është një proces pasiv, e shpesh fragjil. Të mos harruarit është një proces shumë më imponues edhe për individët edhe për shoqërinë se thjesht “të kujtuarit”.

Veço rastet e traumave, njerëzit duhet të bëjnë përpjekje të vetëdijshme për të mos harruar dikënd dhe diçka, ndërsa të kujtuarit si të tillë mbetet në mbretërinë e praktikave individuale ose grupore, që mund të jetë sporadike, e shpërndarë ose kalimtare.

Duke e marrë vendimin se kënd dhe për çka shteti, e me këtë edhe shoqëria si e tërë, vendos të mos harrojë, përmes shumë formave të praktikave memorializuese, institucionet qeverisëse mësyjnë që të shtyjnë në memorjen publike diçka ose dikënd të një rëndësie të madhe sociale, që është, para se të jetë akt psikologjik, akt politik poashtu.

Duke e ndarë një vend për memorjen publike, shteti dëshiron që ai të jetë si vend ankorimi, një gur nga i cili të shohim pas në të kaluarën për orientim, frymëzim ose për atë që thjesht shërben si e vërteta historike.

Monumentet e reja e kanë një rëndësi të tillë sepse ato na përfaqësojnë neve, në këtë moment në kohë. Ato na tregojnë sesi e perceptojmë ne të kaluarën tonë, por poashtu na ofrojnë të dhëna të rëndësishme të asaj se për çfarë duhet të kërkojmë në të ardhmen.

Le të kthehemi pas e të shqyrtojmë iniciativën për të ndërtuar një monument në kujtim të Millosheviqit në Beograd.

Mund t’iu duket e befasishme, por unë jam që kjo të ndodhë. Një monument i ngritur në Beograd, që sjell figurën e tij, fytyrën e tij dhe që na detyron të mos e harrojmë – ideologjinë e tij, pasojat e vrasjeve të tij, politikat monstruoze dhe djallëzore, për mendimin tim – duhet të vendoset nga pasuesit e tij në një vend sa më të frekuentuar të qytetit që është e mundur.

Ky përkujtues i dhimbshëm të asaj çka jemi duhet të marrë aprovim të menjëhershëm nga qeverisja e qytetit, që vërtetësisht të përballë realitetet politike e sociale në të cilat jetojmë.

Është ai tip i ajsbergut të “monumenteve” tjera të Millosheviqit, që tashmë ekzistojnë gjithandej Serbisë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Le t’i përmendim disa prej tyre, sepse monumentet e Millosheviqit, ashtu si efektet e politikave të tij për shoqërinë sërbe dhe të ardhmen e saj, por poashtu për të ardhmen e gjithë rajonit, janë ende shumë të gjalla, megjithëse ai vetë ka vite që ka vdekur.

Toma Fila, afokati dhe shoku i ngushtë i Millosheviqit, e tha mirë së fundi në një televizion – që një prej monumenteve më të forta dhe më të qëndrueshme të Millosheviqit është ekzistenca e entitetit të udhëhequr nga Serbët në Bosnjë, Republika Srpska, dhe lidershipi i atjeshëm.

Duke e krijuar këtë proto-shtet mbi gjenocidin dhe spastrimin etnik të boshnjakëve dhe të joserbëve tjerë gjatë të 90-ave, Millosheviqi pati sukses në të paktën një gjë – ai la mjaftueshëm municion ideologjik te pasuesit e tij që të vazhdonin të realizonin planin e tij të madh, që datonte qysh në fillim të të 90-ave – të gjithë serbët në një shtet, një shtet i stilit nazist të Serbisë së Madhe.

Beogradi tashmë e ka një monument jozyrtar të ndërtuar në kujtim të Millosheviqit – një varrezë masive në Bajatnicë, vetëm dhjetë kilometra nga qendra e qytetit, ku qindra shqiptarë të Kosovës u sollën të vdekur nga Kosova dhe u varrosën në mes të natës.

Nëse hidhni një sy gjithandej Serbisë, ju do të gjeni monumente të Millosheviqit kahmos – do ta njihni te njerëzit, te qëndrimi i tyre dhe te zgjedhjet politike që bëjnë.

Shihni gjithë dhunën dhe diskriminimin që e udhëheqin shoqërinë serbe, një tjetër set monumentesh, shihni presidentin Aleksandar Vuqiq, Ministër i Propagandës së Millosheviqit, shihni Ministrin e Jashtëm, Ivica Daqiqin, nëse doni më shumë shembuj të gjallë të monumenteve të Millosheviqit rreth nesh.

Hidhni një sy edhe mediave, fjalimeve publike të politikanëve tanë, elitës intelektuale, dhe rritjes së lëvizjeve fashiste e të së djathtës të cilat po lulëzojnë në shoqërinë tonë.

Nëse e ktheni shikimin në jug, do të shihni, për shembull, Trepçën, një prej vendeve ku forcat e Millosheviqit kishin djegur trupa të shumë shqiptarëve gjatë të ashtuquajturës luftës së Kosovës për të mbuluar gjurmët e tyre të gjakut.

Nëse shihni në veri, do të gjeni një tjetër monument, vendin ku ish-presidenti serb Ivan Stamboliq, aleati i ngushtë i Millosheviqit që më vonë iu bë rival, ishte vrarë nga banditët e këtij të fgundit nga shërbimi shtetëror në vitin 2000.

Nëse shihni në lindje, do të shihni qytetet e fshatrat piktoreske të Bosnjë-e-Hercegovinës dikur multietnike që u kthyen në varreza të mëdha.

Srebrenica është monumenti më i njohur i Millosheviqit, me më shumë se 8732 shpirtëra të varrosur në një tokë të ftohtë.

Tuzla, Gorazhda, Zvorniku, Foka dhe të tjera qytete në lindje të Bosnjes kanë të paktën nga një monument të Millosheviqit – një kamp vdekjeje, një kamp përdhunimii, një varrezë të [pa]identifikuar masive, një shtëpi të djegur, një familje që i ka humbur antarët e saj.

Shihni përtej tyre, dhe do të gjeni Sarajevën siç qëndron edhe tash e rrethuar nga kodra të mëdha ku Millosheviqi i ka ngritur shumë monumente vetes – varre të panumërueshme dhe gure varresh të boshnjakëve të vrarë gjatë rrethimit 45 ditësh të qytetit nga forcat sërbe.

Edhe më në lindje, shiheni Prijedorin, Bihaqin dhe shumë monumente të tjera të Millosheviqit, të ndërtuara nga duart e tij të mallkuara.

Kthehuni në Beograd dhe shihni më mirë, ku një monument i ri i Millosheviqit njoftohet se do të ngrihet, dhe kushtojini vëmendje zemrës së qytetit ku do të gjeni një vend përkujtimi për viktimat e mirënjohura të Millosheviqit.

Ky vend është në rrugën Nemanja 21, pas ndërtesës së qeverisë Sërbe.

Aty qëndron një monument i padukshëm e i qartë i Millosheviqit. E tregon atë duke qëndruar mbi trupin e vdekur të Zoran Xhinxhiqit që ishte vrarë nga njerëzit që i shërbenin forcave të Millosheviqit dhe me mbështetjen e politikës dhe mediave të pasuesve të tij.

Le të hedhim shikimin te monumentet e Millosheviqit në formën e letrës, poashtu. Për shembull, deklarata e pajtimit mes pasuesve të Xhinxhit dhe Millosheviqit, që paturpësisht i barazoi këta dy njerëz dhe deklaroi “pajtimin kombëtar” që në fakt vetëm e rehabilitoi Millosheviqin dhe qentë e tij të luftës.

Hidhni një sy tash tekstit të kushtetutës sërbe – ligjit më të lartë të vendit. Edhe kjo është një monument i Millosheviqit, me provizionet e dëmshme dhe efektet e tyre për të ardhmen e shoqërisë sonë, veçanërisht ato që e konsiderojnë Republikën e Kosovës tashmë të pavarur, si pjesë të Sërbisë.

Hidhni një sy edhe gjendjes së mjerueshme të jetës sonë publike, rënies së institucioneve publike, mediave tona propaganduese e të kontrolluara, partive tona të korruptuara në pushtet e opozitë, sistemit nacionalist të vlerave që është përqafuar nga shumica e qytetarëve dhe që u installua nga Millosheviqi – a i shihni ato tash? Monumentet e Millosheviqit qëndrojnë rreth nesh, duke na mbytur, madje edhe nga varri i tij.

A e kemi kapërcyer kohën e Millosheviqit? Nëse veç kujtojmë se kush po e udhëheq vendin tonë, atëherë do ta dimë përgjigjjen.

E vërtetë, Aleksandar Vuqiqi [vetëm në dukje] nuk është Millosheviq por çka rreth përkrahjes së Millosheviqit nga qytetarët sërb? Si ndihen ata për ngritjen e një monumenti të tij në Beograd?

Bazuar në një sondazh në një emision televiziv në të cilin Toma Fila shpjegonte se pse duhej që Millosheviqi të kishte një monument në Beograd, audienca e këtij televizioni votoi pro/kundër kësaj ideje.

Në fund të emisionit, u tha se më shumë 55 përqind të shikuesve votuan në favor të ndërtimit të monumentit të tij.

Sondazhi nuk është i besueshëm, natyrisht, por megjithatë thotë diçka; është viti 2018, dhe rezultati i një sondazhi të rëndomtë televiziv nuk ishte aq afër.

Le ta harrojmë atë sondazh, dhe të besojmë se nuk e reflekton opinionin publik, veç sa të ndihemi pak më mirë për veten tonë.

Le të rikthehemi te çështja – A n’a duhet një monument tjetër i Millosheviqit, veç kësaj here duke qëndruar krenarisht në qendër të qytetit?

Absolutisht. Lejojini ta ngrisin monumentin e Millosheviqit. Vetëm atëherë do të kemi mundësinë historike që të paktën ta shkatërrojmë një prej këtyre monumenteve.

Përktheu nga Balkan Insight, Periskopi

Shpërndaje në: