Ballkani ekipi kosovar që bëri ‘magjinë’ në Evropë
Viti 2022 ishte për tu mbajtur në mend për skuadrën e Ballkanit. Përveç që u shpall kampion i Superligës, suharekasit morën pjesë për herë të parë në garat evropiane, madje ata shkruan historinë duke u kualifikuar në grupet e Conference League.
Por, fillimisht, ekipi nga Suhareka garat evropiane i nisi në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Që në rrethin e parë, Ballkani u eliminua nga Zalgirisi. Takimi i parë i luajtur në Prishtinë përfundoi 1:1, derisa në Lituani fituan vendësit 1:0, pas vazhdimeve.
Ky eliminim bëri që portokallinjtë garën ta vazhdojnë në Conference League.
Kundërshtari i parë i tyre në këtë fazë ishte La Fiorita të cilën pa ndonjë vështirësi e mposhtën 4:0 në udhëtim dhe 6:0 në kryeqytet
Më pas, në raundin tjetër, suharekasit kishin punë me Klaksvikun. Në takimin e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, tanët fituan 3:2, derisa në udhëtim pësuan 2:1, por falë penalltive kosovarët kaluan tutje.
Ndeshjen vendimtare dhe historike Ballkani e luajti ndaj ekipit shqiptar, Shkupi.
Të besuarit e Ilir Dajës u treguan më të mirë në dy takime, triumfuan 2:1 dhe 1:0, dhe me rezultat të përgjithshëm 3:1 kaluan në fazën e grupeve të Conference League.
Ballkani u vendos në grupin G së bashku me Sivassporin, Clujin e Slavia Praguen. Nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara, suharekasit arritën një fitore, një barazim e katër humbje, duke grumbulluar katër pikë, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për të kaluar në fazën e eliminimit direkt.
Në Conference League morën pjesën edhe tri ekipe tjera kosovare, Drita, Gjilani dhe Llapi si fitues i Kupës.
Drita arriti ta kalojë një fazë. Gjilanasit u përballën me Inter Turkun, takimin e parë e humbën 1:0, derisa në atë të kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” triumfuan bindshëm 3:0.
Por më pas, kaltër e bardhët u takuan me Royal Antwerpin. Ndeshja e parë u mbyll pa gola, kurse në atë kthyese u mundën në shtëpi 2:0.
Paraqitje të mirë nuk kishin dy skuadrat tjera kosovare. Sikurse Gjilani, po ashtu edhe Llapi u eliminuan që në rrethin e parë. Të kuqtë nga Gjilani u eliminuan nga Liepaja. Ata e nisën mirë këtë kampanjë, e fituan takimin e parë 1:0, por në atë të dytën dëshpëruan 3:1.
Në krahun tjetër, Llapi në udhëtim pësoi 2:0 ndaj Budocnostit, kurse në shtëpi barazuan 2:2. /Gazeta Express/