Ballkani e fiton derbin ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri”
Ballkani ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në Superligën e Kosovës, teksa Prishtina u njoftua sonte me humbjen e parë.
Derbi i zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfundoi me fitoren minimale të mysafirëve – 0:1. Kjo ndeshje i takoi javës së pestë.
Golin e vetëm dhe të tri pikëve për kampionin në fuqi e shënoi Albion Rrahmani, në fundin e pjesës së parë.
Të dy skuadrat regjistruan raste shënimi në pjesën e dytë, mirëpo gola tjerë më nuk pati.
Ballkani pas kësaj fitore ka 9 pikë dhe renditet i dyti në tabelë, me katër pikë më pak se lideri, Gjilani. Mirëpo, duhet cekur se Ballkani ka dy ndeshje më pak.
Kurse, Prishtina renditet e katërta në tabelë me 7 pikë. Kryeqytetasit deri më tani kanë zhvilluar katër ndeshje në Superligë.