Balla uron Kosovën për pavarësinë: E padrejtë mbajtja e Thaçit dhe ish-komandantëve të UÇK në Hagë

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, uroi Kosovën për festën e pavarësisë nga seanca e kuvendit këtë të hënë.
“I bashkohem mesazhit të kryetares së kuvendit për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke uruar vëllezërit tanë paçin gjithmonë mbarësi në shtetin e tyre të lirë dhe të pavarur dhe sa më shumë sukses në rrugën e integrimeve.”, tha ai.
Balla iu bashkua mesazhit të Richard Grenell për mbajtjen e padrejtë në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-komandantëve të tjerë të UÇK.
“Nuk mund të rrija pa iu bashkuar dhe urimit të të dërguarit të posaçëm, Richard Grenell, i cili në këtë moment feste për Kosovën vëren si të padrejtë mbajtjen për më shumë se 4 vitesh në Hagë të presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK, duke e konsideruar si padrejtësi të madhe dhe pa dyshim, siç e kemi thënë dhe kuvendi e ka shprehur në seancë të posaçme me kuvendin e Kosovës, që ne besojmë në pafajësinë e udhëheqësve të UÇK, se kemi besuar se lufta e UÇK ka qenë një luftë e drejtë çlirimtare dhe në asnjë rast lufta për çlirim nuk ka lidhje me akuzat që rëndojnë, edhe pse në këtë rast ne besojmë te pavarësia e kësaj gjykate speciale të Kosovës me seli në Hagë.”