Bajrami: Qeveria po i ik ballafaqimeve në televizione për shkak të mungesës së investimeve kapitale
Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë Kurti për, siç tha ajo, dështimin në realizimin e investimeve kapitale.
Ajo ka theksuar se qeveria ka pasur të planifikuar investime kapitale në vlerë prej 800 deri në 900 milionë euro për çdo vit, por nuk ka arritur t’i përfundojë ato projekte.
“Për investime kapitale, qeveria i ka pasur të planifikuara vit pas viti 800 deri në 900 milionë investime kapitale por të cilat nuk ka arritur në asnjë vit t’i përfundoj. Për këtë arsye, ne sot i kemi të gjitha rrugët e papërfunduara,” tha Bajrami.
Sipas saj, dështimi në përfundimin e projekteve kapitale ka shtyrë pushtetin të refuzojë ballafaqimet në studio televizive.
“Këta nuk i kanë sot tri projekte kapitale, sepse me i pasë 3, unë besoj që kishin ardh dhe nuk do të zgjedhnin as televizione dhe as nuk kishin pa se kush janë pronarët,” shtoi ajo.