Bajrami: Ministri Murati u tall me qytetarët, sot një bukë kushton 60 cent
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili sot të gjithë të punësuarve ua ka grumbulluar 6,8 eurot e rritjes se pagave për të treguar shumën e përgjithshme.
Deputetja e LDK-së ka bërë me dije se ajo çka ka bërë sot ministri Murati është tallje me qytetarët.
Ajo ka shkruar se në vitin 2021 një bukë ka kushtuar 30 cent, kurse sot një bukë kushton 60 CENT.
“Ministri i financave qenka tallë prapë me qytetarë, po thotë se 6.8 euro për ju në muaj bëjnë 2.3 milionë në muaj për shtetin. POR, në vitin 2021 një bukë ka kushtu 30 CENT, sot një bukë kushton 60 CENT. Tash a e llogarisim sa bukë konsumon një familje për një ditë, ta shumëzojmë me 365 (ditë në vit), mandej e shumëzojmë me 3.5 (sa janë edhe vitet e qeverisjes Kurti) dhe në fund me numrin e familjeve në Kosovë”, ka shkruar ajo.
Ish-ministrja e financave ka deklaruar se qytetarë janë varfëruar gjatë Qeverisë Kurti.
“Ministri duhet me na tregu sa milionë janë më pak në xhepat e qytetarëve, si rezultat i rritjes së çmimeve/inflacionit, e sa milionë janë me shumë në kuletën e shtetit po për të njëjtën arsye? Sa minister? Ka vetëm një të vërtetë këtu: qytetarët janë varfëru gjatë këtij mandati dhe ulja e tatimit në pagë për 6.8 Euro, thënë më se buti është tallje me qytetarë”, ka shkruar ajo.