Bajrami – ky armik i skamnorëve

Bajrami – ky armik i skamnorëve

Edhe sot, si herët tjera, Facebook-u asht vërshu prej postimeve uruese për bajram. Si në çmendinë përsëriten pafund fjalë të njisojta. Dhe njerëzit kënaqen. Edhe ata që nuk shkruejnë kurrë ditëve tjera, i vargojnë tre-katër fjali dhe marrin shumë ‘pëlqime’. Pse? Sepse nuk asht zor me uru. Zor asht me mendu.

Kosovarët, nga nji shoqni që s’i han palla për fe, kur vjen puna te festat, shndërrohen në myslimanë ‘të devotshëm’… sidomos paraditeve. Veshen, krehen, lahen, qesin bakllavë, presin mysafirë, pastaj iu ndihmojnë skamnorëve të lagjeve a katundeve ku jetojnë, e të tjera.

Kjo asht nji mbeturinë e të kaluemes thellësisht myslimane dhe nji dëshirë e rafinueme nga e tashmja thellësisht konsumeriste. Edhe shoqnia jonë e don festën dhe mospunën. Por, para së gjithash, ajo e don rehatinë nga mendimi. Nuk i feston veç bajramët, por edhe pashkët, vitin e ri, halloween-in, 1 majin, 1 qershorin, 1 shtatorin e çkamos tjetër.

Edhe pse ka origjinë myslimane, kjo festë asht dredhue në nji praktikë plotësisht antimyslimane, në vendin tonë. Motelet, kafenetë e diskotekat mbushen plot. Alkoli shitet ma shumë se kurrë. Degjenerimi (simbas etikës islame) asht në vlim.

Por, para këtij dredhimi të ndalemi te thelbi i saj fetar. Asht traditë e bajramit që tryeza e ushqimeve me qenë sa ma e begatë, sa ma e mbushun. Në nji hulumtim nga “Europa e lirë” del se mesatarisht familja kosovare i shpenzon 100 euro për bajram. Nuk po flasim këtu për nji familje tipike gjermane, amerikane apo angleze – por për nji familje kosovare, në hallin e skamjes së madhe.

Kjo e tregon ma së miri ekzistencën e nji detyrueshmënie të heshtun shoqnore për konsum. Kjo tregohet edhe nga shtrimi i kërkesës për me iu ndihmu skamnorëve. Me maskën e mëshirës dhe solidaritetit, me ‘ndihmën’ bajramore, skamnori lidhet me vargonjtë e dëshirave të tij të fabrikueme nga këta bajramë. Bajramët i tregojnë atij që nuk ka, se çka han ai që ka. Ndërkohë që i pasuni, e merr shijen e kandshme për pozitën superiore ku ndodhet në relacion me skamnorin – si Facebook Party i Behxhet Pacollit i cili lëngon që shoqnia skamnore kosovare me e pa luksin e tij. Bajrami asht festë që i konvenon të pasunit dhe jo skamnorit. Skamnorit i prishen llogaritë për dalje nga gjendja e tij pikërisht përmes lidhjes me këto dëshira – që e kapërcejnë përmasën e tij ekonomike. Bajrami e orienton atë që s’ka drejt nji jete bajramore tanë vitin. Ai natyrshëm, don me hangër mirë, me pi mirë, me nejtë mirë edhe kur i duhet me punu e me planifiku daljen prej skamjes. Kësisoj, në vend se me u promovu kursimi dhe llogaria, bajrami e promovon shpenzimin e pakursim – fundja, sa i përket bajramit, asht qenia metafizike e ashtuquejtun Zot, e cila vendos se cili me pasë e cili jo. Por kapitalizmi thotë tjetërçka, fatkeqësisht.

Kjo ndjesi pafuqie provohet prej secilit kur hyn në nji market ku reklamohen mijëra mallna të ndryshme. Si shumica, me nji rrogë minimale, edhe unë ndihem i mundun dhe i dërrmuem, para tanë atyne gjanave për të cilat zorrët e mia nisin me knu si Pavaroti. Edhe për mu asht zor me i rezistu kësaj fryme bajramore. Por në fakt, megjithëse kapitalizmi thotë rezisto ani pse si i paftyrë t’i tregon ato mallna – bajrami të thotë mos rezisto. Njerëzit kësisoj çlidhen nga pozita ekonomike n’t’cilën ndodhen dhe blejnë ushqime e sende të cilat nuk janë për ta. Dhe kësisoj, planifikimet për daljen nga skamja, iu bien në ujë. Simbas statistikave të ASK-së, konsumerizmi në Kosovë po rritet frikshëm ani pse skamja nuk po ndryshon.

Tekembramta, ta shtrojmë pyetjen e moçme: kush përfiton (prej bajramit)? Përgjigjja asht e thjeshtë: i pasuni.

Bajrami asht nji festë që në thelb, kjartazi, e varfnon varfanjakun dhe e pasunon pasanikun. Ani pse shumë pasanikë japin ndihma për ata që nuk kanë, kjo as që krahasohet me fitimet që merren nga konsumi i madh e i shfrenuem i kësaj dite.

Ajo për të cilën ka nevojë varfanjaku nuk asht bajrami por kursimi e planifikimi. Jo mishi e bakllava, por dalja nga varfnia. Jo sakrifikimi i qengjit a kafshëve tjera, por sakrifikimi i dëshirave të veta. Jo lëmosha e as dashamirësia, por shtrimi i munësive ku punon dhe gjendet vet.

Dhe mos mendoni që fryma e këtij shkrimi asht komuniste. Kursimi i përket kapitalizmit. Kursimi e llogaritja janë rezultate të mendimit dhe kërkojnë angazhim mendor. Ndërsa bajrami kërkon shfrenim, pamendim, besim.

Edhe kjo festë – të paktën për ata që nuk janë të përkushtuem ndaj fesë – e tregon inautenticitetin e shoqnisë tonë të kredhun në idiotësi.

Shpërndaje në: