Bajrami e gjen në burg Fjolla Morinën – avokati thotë se u arrestua çnjerëzisht
Këngëtarja Fjolla Morina është arrestuar dje në lagjen “Emshir” të Prishtinës nga njësia policore FAST-Kosova në bashkëpunim me zyrtaret policorë të stacionit policor “Jugu” në Prishtinë.
Ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë për trafikim të armëve dhe municionit.
Lidhur me rastin, media ka kontaktuar avokatin e saj, Fanol Krasniqi i cili ka treguar se Fjollës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa të mërkurën do të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Fjolla gjendet në masën e ndalimit sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Masë kjo me afat prej 48 orësh. Të mërkurën më datë 21.07.2021 e kemi seancën dëgjimore lidhur me praninë e të pandehurit gjatë procedurës së ekstradimit. Dmth të mërkurën seancë dëgjimore se a mundet Fjolla Morina të arratistet nga procedura e ekstradimit apo jo”.
Avokati Krasniqi njoftoi se prokuroria ka kërkuar ekstradimin e saj në Shqipëri por që ata nuk kanë marrë asnjë dokumentacion për këtë kërkesë.
“Fjolla Morina akuzohet për vepra penale “Trafikim me armë”, por ne nuk kemi kurrëfarë dokumentacioni apo urdhërese lidhur me këtë ndalim, kërkesat besoj do i marrim të mërkurën gjatë seancës dëgjimore. Vlen të theksojmë se kundër Fjolla Morinës nuk është vendimi i formës së prerë, Gjykata e Kuksit Fjolla Morinës i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vite. Kundër atij vendimi avokati i Fjolla Morinës ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Shkodrës edhe ky vendim prej 6 vitesh nuk është vendim i ekzekutueshëm.
Ne nuk kemi informacion se mbi cilin vendim apo mbi cilën urdhëresë kërkohet ekstradimi i Fjolla Morinës ku ndaj saj nuk ekziston një vendim i formës së prerë”.
Tutje, Krasniqi thotë se Fjolla u arrestua në mënyrë çnjerëzore dhe se nuk thirrur paraprakisht që të paraqitet në Polici lidhur me kerkesën e Shqipërisë.
“Fjolla Morina është arrestu në mënyrën më çnjerëzore të mundshme, pasi që te njejtes i dihet adresa e banimit, madje e nejjta ka edhe nenshtetesi. Fjolla Morina nuk është thirrë paraprakisht që të intervistohet apo ti tregohet arsyeja e arrestimit. Ajo është arrestu para të gjithë lagjes.
Ajo nuk pranoi asnjë urdheresë. Vetëm verbal “Kemi urdhëresë prej shtetit të Shqipërisë se është kërku ekstradimi për veprën të cilën je shpall fajtor”.
Fjolla Morina akuzohet për trafikim me armë, por që sipas avokatit Fanol Krasniqit, trafikimi me armë nënkupton për gjetjen apo shitjen e shumë armëve, e jo vetëm një, sikur është rasti i Fjollës.
“Sipas Fjollës, ajo akuzohet për trafikim me armë. Trafikim me armë ligji jonë nuk e njeh kur ndaj një kryesi konfiskohet vetëm një armë. Trafikim me armë nënkupton shitjen, saktësisht në cilat shtete Fjolla ka shit armë? Dmth trafikim me armë nënkupton shumë armë e jo vetëm me një armë të akuzohet e të dënohet.
Në ligjet tona Kosovë, për armëmbajtje pa leje dënimi është me gjobë ose deri 5 vite. Është diferencë shumë e madhe mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ne nuk e kemi të qartë se a e ka përmbushur obligimin ligjor shteti shqiptar në raport me Fjollën për procedurën e ekstradimit. Ne nuk e dimë se Fjolla Morina a do arrestohet apo ndaj saj do të lëshohet vetëm aktvendim për siguri, masë e përkohshme, apo ndaj saj do të caktohet seanca për ekstradim të mërkurën. Këtë informacion mbrojtja nuk e ka. Unë si avokat e kërkova këtë se me çka do të mirremi kur të dalim në seancë. Kurdoqoftë se neve na kërkon, ne do të jemi të pranishëm në Gjykatë.
Edhe pse procedura e ekstradimit duhet të jetë në duart e Ministrisë së Drejtësisë, edhe nga MD nuk kemi kurrëfarë informacione edhe pse ne nuk kemi kërku që të informohemi nga ta, por të paktën ta dijmë që mbi cilin vendim Fjollës i kërkohet ekstradimi. Nuk ka vendim në formën e prerë për Fjollën për ekstradim. Vendimi nuk është i ekzekutueshëm”./Reporteri