Bac, u kry! Kosovari realizon skulpturën gjigande të Adem Jasharit në Vjenë
Çekani dhe dalta më të cilën kishte gdhendur prej muajsh gurin gjigand kishin pushuar së punuari. Skulptura prej gurit me plis në kokë dhe me gojë të hapur nga e cila nxjerr zjarr dhe tym heroi ynë kombëtarë, Adem Jashari është përfunduar. Ajo tashme gjendet në oborrin e shtëpisë së skulptorit shqiptar në Austri, Destan Gashit. Kjo skulpturë për artistin tonë është kryevepra e punimeve të tij të deritashme.E Premte, 28 Gusht 2020 – 13:40Arben Gjinaj
Të punon një skulpturë prej gurit figurën e Adem Jasharit, për Destan Gashin ishte ëndërr e kamotshme. Por, gjithmonë dëshironte diçka të re, diçka që nuk është realizuar deri më tash. Dëshironte që ai punim të kishte një mesazh, të bëhej me shpirt dhe zemër. Tonelatat dhe përmasat e gurit tregonin më së miri peshën që heroi Adem Jashari e ka në zemrën e skulptorit Gashi. Dhe, kjo u realizua. Ajo tash e disa ditë gjendet në kopshtin e tij.
Albinfo Austria vizitoj shtëpinë e skulptorit Destan Gashi në Vjenë dhe shikoi për së afërmi madhështinë e punës së realizuar.
E gjitha vepra e punuar nuk është bazuar në asnjë fotografi. Gjithçka është e lindur nga imagjinata e artistit, Destan Gashit. „Në imagjinatën time ishin ngulitur momentet e fundit të Adem Jasharit, kur ai në mënyrë figurative kishte plisin e bardh në kokë dhe kur në përballje me armikun, nxirrte tym e flakë nga goja“, thotë Destan Gashi për Albinfo Austria.
Në kohën e pandemisë, në banesën tij, Destan Gashi kishte marr pak argjilë dhe ia kishte filluar të bëj një skicë. Skica e punuar nga argjila i kishte dal shumë e bukur dhe origjinale. Në bazë të asaj skice pastaj kishte porositur gurin dhe kishte filluar punimin. „Për afro 4 muaj punë e përditshme dhe e pa ndërprerë derisa e jetësova kështu siç është. Është kënaqësia më e madhe që më ka dhënë ndonjë punim gjatë karrierës sime. Nuk kam përjetuar asnjë lodhje, kisha vullnet të punoja ditë e natë. Ndoshta, sepse para vetës kisha një figurë madhështore, një legjendë të historisë dhe kombit tonë, e kisha një emër të madh: ADEM JASHARI“, thotë Destan Gashi duke treguar dashurinë që ai ka për heroin dhe sakrificën e Adem Jasharit për atdheun.
Skulptura e Adem Jasharit, kryevepra e Destan Gashit
Skultori Destan Gashi ka punuar edhe punime të tjera të cilat janë poashtu të përzemërta për të, si p.sh: Djaloshin e sapolindur të Rozafës, por kjo sipas tij është letërnjoftimi dhe kryevepra e tij.
„Gjithçka që kam pasur në brendësi e kam derdhur në këtë skulpturë. Është e punuar me shumë dashuri, me zemër, me shpirt…“.
Guri në të cilën është gdhendur figura e Adem Jasharit është prej shtufi (Sandstein) është gurë i ardhur nga Burgenland. Skulptura peshon 1.2. Tonelatë i rëndë, me gjerësi prej 1 metër me 1.2 metra dhe lartësi prej 1.1 metra.
Megjithatë, dëshira e Destan Gashi është që kjo skulpturë të jetësohet në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Zeqisht në komunën e Rahovecit. Por, ëndrra e tij nuk ka përfunduar këtu. “Në kokën dhe mendjen time tashmë është që e njëjta figurë e Adem Jasharit të punohet nga guri i kuq i Therandës në një peshë prej 6 tonësh”, thotë ai.
Të interesuarit të cilët kanë dëshirë ta shohin për se afërmi skulpturën e Adem Jasharit por edhe skulptura dhe punime të tjera, Destani së bashku me bashkëshorten, piktoren, Barbara Gashin do të hapin ekspozitë nga data 5-18 shtator. Gjatë javës, ekspozita është e hapur nga ora 16.00 – 19.00, të shtunën prej 12.00 – 18.00 dhe të dielën prej orës 10.00 -18.00. Në këtë ekspozitë do të prezantohen edhe disa piktura nga Barbara Gashi.