Azemi për qeverinë Kurti: Për katër vite, s’patën mundësi të prodhojnë asnjë megavat më tepër të energjisë elektrike

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka adresuar krizën e Kosovës me energjinë elektrike. Gjatë paraqitjes në “Debat Plus”, ai sqaroi se arsyeja kryesore e shtrenjtimit të energjisë mbetet mungesa e prodhimit vendor, e cila e detyron Kosovën të importojë energji me kosto të larta nga tregjet ndërkombëtare.
Mungesa e prodhimit dhe tregtia me kosto të larta, sipas tij, e vë Kosovën para dy mundësive: ose të ndalë importin e energjisë për shkak të çmimeve të larta, ose ta paguajë diferencën përmes tarifave të përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
“Prodhimi vendor s’e mbërrin kërkesën që kanë konsumatorët vendas dhe, rrjedhimisht, detyrohesh të importosh energji elektrike me kosto shumë të larta. Pra, ta zëmë, në Kosovë, prodhimi i rrymës nga termocentralet aktuale është diku rreth 30 euro për megavat, ndërsa në borsat ndërkombëtare, ku ne tregtojmë energjinë elektrike, është shumëfish më i lartë. Ta marrim Berzën hungareze të energjisë elektrike dhe shohim që vitin e kaluar çmimi mesatar i energjisë elektrike që është tregtuar aty ka qenë 100 euro për megavat.
Mirëpo, çfarë ndodh? Ne i bëjmë nominimet për tregtim të energjisë një ditë më herët, dhe ato ndahen orë më orë. Në vitin 2024, çmimi gjatë një ore të caktuar në Berzën ndërkombëtare të Hungarisë ka shkuar deri në 999 euro. Pra, po e shohim që çmimi është drastikisht më i lartë sesa ai i prodhimit që kemi në vend.
Dhe, kësisoj, ne obligohemi ose të ndalim energjinë elektrike dhe të mos importojmë për shkak të çmimit të lartë, ose, kur importojmë, duhet ta paguajmë këtë diferencë për shkak të hyrave maksimale që i aprovon Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Këto përcaktojnë tarifat e energjisë elektrike dhe, diku, duhet të mbulojmë atë pjesë.” – tha ai.
Ai e kritikoi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë të investimeve në kapacitetet prodhuese.
“Pra, problemi është që nuk prodhojmë energji elektrike mjaftueshëm për t’ua siguruar konsumatorëve në vend. Dhe ky ka qenë një telash që unë kam pasur me qeverinë Kurti, sepse për katër vite nuk patën mundësi të regjistrojnë asnjë megavat të ri prodhim të energjisë elektrike.” – tha Azemi.