Azemi i LDK-së: Qeverisë Kurti po i vie era korrupsion, të nisin urgjent hetime për rreth 1 mijë kontrata sekrete
Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar pasi Ministria e Infrastrukturës ka ndarë përmes një tenderi njëburimor edhe 46 mijë euro shtesë për projektin e Urës së Badovcit.
Azemi thotë se përmes procedurës së negociuar është nënshkruar edhe kontrata për rrugën nacionale N9 deri në Gjakovë, segmenti Rakovinë-Klinë.
Zyrtari i LDK-së thotë se kjo praktikë po përdoret nga Qeveria edhe në muajt e fundit të mandatit dhe se po jepen kontrata të negociuara për punë të dështuara. Sipas tij, ky mekanizëm i ka rrënjët në korrupsion.
Në fund të reagimit, Azemi thotë se Qeveria Kurti ka nënshkruar rreth 1 mijë kontrata sekrete që kapin vlerën e 240 milionë eurove.
Reagimi i plotë:
Urën e Badovcit e lanë peng duke e zgjatur e stërgjatur ndërtimin e saj derisa u shndërrua në objekt talljeje në gjithë Kosovën. E dje, Ministria e Infrastrukturës i paska dhënë edhe mbi 46.000 euro shtesë për të. Kjo përmes një kontrate njëburimore. Në të njëjtën formë, me procedurë të negociuar, qenka nënshkruar edhe kontratë për ndërtimin e urës në Rrugën Nacionale N9 deri në Gjakovë, segmenti Rakovinë-Klinë. Vlera e saj mbi 51.000 euro. Pra, për dy ura, dy kontrata të negociuara me vlerë afro 100 mijë euro.
E njëjta praktikë e kësaj Qeverie edhe në muajt e fundit të mandatit. Për punët e dështuara, kontrata të negociuara. Mekanizmi i njëjtë që rrënjët i ka tek korrupsioni. Projektet që do të duhej të prodhonin mirëqenie për qytetarët po përdoren për përfitim e pasurim për pushtetarët.
Liburn Aliu e ministrat e tjerë të kësaj qeverie, nënshkruan rreth 1000 kontrata sekrete që kapin vlerën e mbi 240 milionë eurove. Kjo qeveri për çdo ditë të qeverisjes e ka dhënë nga një kontratë njëburimore. Kështu s’ka ndodhur kurrë. Kësaj qartazi i vjen era korrupsion i pastër. Krejt këto janë taksa të qytetarëve, që s’guxojnë të shkojnë në xhepat e dostave të pushtetarëve. Prandaj, duhet hetim urgjent. Për secilën kontratë veç e veç. Për çdo cent të dhënë në mënyrë të dyshimtë.