Avokati i Thaçit demaskon Gjykatën Speciale: Duhet t’i japin llogari Kosovës, jo t’i raportojnë diplomatëve fshehurazi

Avokati i Thaçit demaskon Gjykatën Speciale: Duhet t’i japin llogari Kosovës, jo t’i raportojnë diplomatëve fshehurazi

Luka Misetic, avokat mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, ka reaguar lidhur me raportimet e djeshme për një takim mes udhëheqësve të Dhomave të Specializuara të Kosovës me diplomatët e vendeve të Bashkimit Evropian, të zhvilluar para pak ditësh në Hagë.

Për këtë, Misetic ka thënë se Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet t’i japin llogari Kosovës dhe jo të veprojnë fshehurazi.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (“KSC”) @SpecialChambers janë një institucion i Republikës së Kosovës që nuk jepin llogari publikisht ndaj askujt apo ndaj ndonjë institucioni për punën e tyre, gjë që mund të konsiderohet shkelje e normave të Këshillit të Evropës (shih më poshtë). Nacionale raportoi dje se presidentja dhe kryeprokurori i KSC-së janë takuar fshehurazi me diplomatë të vendeve donatore për t’u raportuar atyre, përfshirë diskutime rreth komenteve të @richardgrenell. Le ta përsëris: fshehurazi”, ka shkruar ai në Twiter.

Avokati i Thaçit, Luka Misetic, tutje ka thënë se “Ligji për Dhomat e Specializuara, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk e autorizon KSC-në që të raportojë tek shtetet tjera, aq më pak ta bëjë këtë në mënyrë të fshehtë. Fatkeqësisht, Ligji nuk kërkon që KSC të raportojë te ndonjë institucion në Kosovë, gjë që përbën shkelje të normave të Këshillit të Evropës”.

Misetic ka treguar se në Opinionin Nr. 18 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë, të publikuar në vitin 2015 nga Këshilli i Evropës, thuhet në paragrafin 24 se “gjyqësori duhet të jetë i përgjegjshëm për menaxhimin e tij ndaj pushteteve të tjera të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi”.

Ndërsa, sipas tij, në Raportin 2014-15 të Rrjetit Evropian të Këshillave për Gjyqësorin thuhet në faqen 11: “Një gjyqësor që pretendon pavarësi, por refuzon të jetë i përgjegjshëm ndaj shoqërisë, nuk do të gëzojë besimin e shoqërisë dhe nuk do të arrijë pavarësinë për të cilën synon”.

Avokati i Thaçit ka thënë se KSC-ja nuk është e përgjegjshme ndaj “pushteteve të shtetit” të Kosovës dhe as nuk jep llogari për punën e saj për shoqërinë e Kosovës. Përkundrazi, ajo raporton në takime të fshehta me vendet donatore, të cilat nuk janë transparente, nuk janë të hapura për publikun e Kosovës dhe mbahen pa autorizim nga ligji i Kosovës”.

Misetic e ka quajtur ironik veprimin e KSC-së, duke thënë se ka shkelur normat e Këshillit të Evropës për mungesën e llogaridhënies ndaj institucioneve të Kosovës.

“Është ironike që KSC-ja, një institucion i themeluar si rezultat i një raporti të Këshillit të Evropës (Raporti Marty), shkel normat e Këshillit të Evropës për mungesën e llogaridhënies ndaj institucioneve të Kosovës apo shoqërisë së Kosovës. Kjo mungesë e llogaridhënies kërkon veprim nga KSC-ja, nga institucionet e Kosovës dhe nga Këshilli i Evropës”, ka treguar ai në shkrimin e publikuar në Twitter.

Shpërndaje në: