Avokati i Nagip Krasniqit: Prokuroria i shqyrtoi provat në mënyrë selektive
Mbrojtja e ish-Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit, ka deklaruar se për ngritjen e aktakuzës ndaj tij janë njoftuar nga raportimet e mediave. Avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, i ka thënë Gazetës Express se aktakuzën e ka pranuar tek sot.
Sipas Krasniqit, aktakuza nuk është aspak objektive dhe është ngritur pa zhvillimin e nevojshëm të hetimeve.
“Lidhur me ekzistimin e aktakuzës unë jam njoftuar nga raportimet e mediave me date 19.08.2024 si dhe njoftimi ne ëebfaqen e prokurorisë speciale, pa pranuar paraprakisht ndonje njoftim zyrtar. Njoftimin zyrtar për ekzistencë e aktakuzës e kam pranuar një dite me vone nga prokuroria speciale, kurse aktakuzën e kam pranuar sot me date 21.08.2024. Ne secilin sistem normal te drejtësisë, mediat nuk kane qasje ne aktakuze e ne asnje rast para të pandehurit. Ky është realitet i hidhur ne Kosove dhe e dëmton kredibilitetin e sistemit te drejtësisë ne Kosovë”, ka deklaruar Ibrahimaga.
Ibrahimaga ka deklaruar se Prokuroria nuk i ka përfshirë në aktakuzë, sic thotë, “faktet dhe dëshmitë” e tyre.
“Ne si mbrojtje, menjëherë pas intervistës kemi derguar një mori faktesh dhe dëshmi qe dëshmojmë mungesën e ekzistimit te elementeve te veprës penale. Asnjëra nga këto nuk është marre parasysh nga prokuroria speciale. Konfrom nenit 47 te Kodit te Procedurës penale prokuroria është e detyruar qe te merr parasysh provat shfajësuese te mbrojtjes. Përveç qe prokuroria nuk i ka vlerësuar këto prova, ajo nuk i ka përfshire fare si prova fare ne aktakuze për tu shqyrtuar nga Gjykata. Kjo është shkelje ligjore dhe tregon qarte për mungesën e objektivitetit te organet te akuzës ne hetimet lidhur ketë rast”, thotë ai.
Ai ka thënë se ngritja e aktakuzës mbi bazën e një vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që thotë se është akoma në shqyrtim gjyqësor, është absurde.
“Se këndejmi duhet theksuar se prokuroria ka konstatuar shkelje ligjore sipas një vendimi te Zyrës se Rregullatorit te Energjisë, vendim i cili është kontestuar nga KEK dhe gjendet ne procedure kontestimore administrative. Nuk ka ekzistuar asnjë obligim ligjor për licencimin e operatoreve te lincesuar ne vendet e Komunitetit te Energjisë. Lidhur me këtë ceshtje ekziston kontest administrativ i incuar nga KEK. Prokuroria nuk mund te konstatoj shkelje te ligjit, nese një shkelje e tille është objekt i shqyrtimit nga një gjykatë kompetente për atë kontest. Prokuroria nuk organ qe përcakton shkeljen e ligjit, por ne asnje rast kur një ceshtje është objekt i shqyrtimit gjyqësor. Vendimi i ZRRE nuk është i plotfuqishëm dhe ai vendim nuk mund te merret për baze për te vërtetuar shkeljen ligjore ose ekzistimin e veprës penale. Ngitja e aktakuzës mbi bazën e një vendimi i cili është akoma objekt i shqyrtimit gjyqësore ne një procedurë të rregullt gjyqësorë është absurd”, thuhet në përgjigje.
Sipas tij, Prokuroria i ka shqyrtuar provat ne mënyre selective.
“Është e pashpjegueshme se për çfarë arsye prokuroria ka nxituar te ngre aktakuze ne ketë rast pa e bere hetimin si duhet dhe pa pritur vendimin e gjykatës kompetente lidhur me ekzistimin ose jo te shkeljeve ligjore nga i pandehuri Nagip Krasniqi. Prokuroria ka pasur afat deri ne mars te vitit te ardhshëm që të nge aktakuzë. Gjitahshtu është e pashpjegueshme nevoja e prokurorisë për publicitet ne ketë rast si dhe se pe çfarë arsye organet e drejtësisë e kane ndare aktakuzën me media. Te gjitha këto nuk flasin për objektivitet te organit të akuzës ne këtë rast”
Ish-Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqit, i është ngritur aktakuzë të hënën nga Prokuroria Speciale. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.
Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.
Nga veprimet e Krasniqit thuhet se KEK është dëmtuar për mbi 3 milionë e 230 mijë euro.
“Duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar respektivisht Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, shfrytëzon detyrën zyrtare me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” – HSE nga Sllovenia t’ia mundësoi tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës…ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji, me ç’rast të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve ekonomikë konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 euro”, thuhet në aktakuzë.
Tregtimi i energjisë me kompaninë sllovene ishte përmendur edhe në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ku për këtë dhe shkelje të tjera, ZRRE e kishte gjobitur KEK’un me 3.2 milionë euro.
Sipas raportit të publikuar në faqen zyrtare të ZRRE’së, një prej shkeljeve që kishte bërë KEK ishte nënshkrimi i kontratës kornizë me kompaninë “Holding Slovenske Elektrane”, kompani e cila nuk ka licencë të lëshuar nga autoritetet kosovare.
Sipas ZRRE, KEK ka vazhduar të blejë energji nga kjo kompani përkundër vërejtjeve dhe kërkesave që ka marrë.
“Lidhur me kёtё, ZRRE ka reaguar disa herё pёrmes e-mail-it zyrtar dhe me shkresё zyrtare, ku ka kёrkuar nga KEK qё tё veprojë nё pajtim me obligimet ligjore tё cekura mё lartё, dhe tё ndaloj aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё pa licencuara. Pёr mё tepёr, ZRRE me datё 19.08.2022, ka monitoruar procesin e tregtimit tё energjisё elektrike nё kohё reale, dhe ka vërejtur se pavarёsisht vёrejtjeve dhe kёrkesave tё ZRRE pёr ndalimin e tregtimit tё energjisё elektrike me ndёrrmarje tё palicencuara, KEK ende kryen aktivitetin e tregtimit tё energjisё elektrike nё mos pajtueshmёri me obligimet ligjore”, thuhej në raportin e ZRRE’së.