Avantgarda kundër Linda Morinës
Si zgjidhje për këtë problem, Lenin atëbotë kishtë sygjeruar që anëtarët më të ndërgjegjshëm të klasës punëtore të marrin përgjegjësine për arritjen dhe mirëmbajtjen e revolucionit socialist dhe të sigurohen që pjesa “inferiore” e shoqërisë të kuptoj drejtë të mirat që sjell socializmi.
Këta anëtar të ndërgjegjshëm të proletariatit Lenin do ti quante Avantgardë, që në përkthim në gjuhën Shqipe nënkupton pararoje. Pra, këta anëtarë do të duhej të shërbenin fillimisht si pararoje të idesë socialiste duke udhëhequr masat e padijshme drejt arritjes së revolucionit, e më vonë do të kujdeseshin në mirëmbajtjen e idesë së revolucionit.
Në shtete të ndryshme socialiste, ideja e avantgardës është aplikuar në forma të ndryshme, përfshirë këtu edhe fushën e artit dhe fushën e kulturës në përgjithësi.
Për shembull në ish Jugosllavi profesionist të autorizuar nga strukturat shtetërore kanë vlerësuar se cilat këngë apo cilat vepra të tjera në fushën e muzikës, kinematografisë apo artit figurativ janë të dënja për tu publikuar dhe ndëgjuar nga masat. Kjo ka ndodhur pasi që sipas regjimit masat popullore kanë qenë inferiore dhe nuk kanë qenë të denja për të vlerësuar se çka është mirë e çka është keq për ta. Pēr shembull, nëse një këngë është planifikuar të publikohet në Radio Prishtinë, fillimisht ka kaluar nëpër redakturë të tekstit ku është vlerësuar nëse teksti ka përmbajtje armiqësore. Më pastaj teksti është vlerësuar edhe në nivelin estetik dhe për nga aspekti i vlerave artistike. Pas kalimit të këtij provimi, kënga është vlerësuar nga aspekti muzikor, pra është vlerësuar nëse muzika ka vlera artistike dhe nëse është mjaftueshëm artistike për të ju servuar masave popullore.
Përsonalisht, mendoj se pjesa me e madhe e masës në Kosovë dhe në Ballkan nuk ka shije të kultivuar muzikore, dhe se më të vërtetë kanë nëvoje për ndihmë në këtë drejtim. Por nga ana tjetër poashtu është vërtetuar se ideja e Avantgardës në art që është aplikuar për 50 vite në socializëm nuk ka arritur që të kultivoj shijen e masave popullore. Rrjedhimisht, pjesa me e madhe e popullatës gati se në të gjitha shtetet e dalura nga ish Jugosllavia kanë përqafuar përzemërsisht muzikën turbofolk menjëherë pas demokracisë.
Reagimet e një pjesë të opininistëve në mediat sociale lidhur me paraqitjet e Linda Morinës i shoh si vazhdimësi e traditës së mentalitetit të Avantgardës që është treguar si e dështuar. Pra si një lloj tentim cenzure të shijës së masave nga “pjesëtarë të ndërgjegjshëm të shoqërisë” në emër të kultivimit të vleravë të vërteta artistike.
Poashtu, ditëve te fundit ka patur opinione se kultura muzikore që përfaqëson Linda Morina është pjellë e klanit pronto apo mendësisë së klanit pronto. Sipas meje, mendësia e klanit pronto sikur edhe kultura muzikore që përfaqëson Linda Morina kanë qenë dhe janë pjesë integrale e kësaj shoqnie. Kjo për arsye se ajo që quhet klani pronto ka me qindra mijëra vota (nëse nuk gaboj mbi 200.000) ndërsa Linda Morina ka disa miliona klikime në videot e saja në you tube.
Arsyeja se pse kjo mendësi kulturore dhe politike është paraqitur vetëm pas luftës është se në kohë të socializmit kjo mendësi ka qenë e cenzuruar. Në socializëm nuk ka qenë e mundur shprehja e lirë e shijës artistike apo vullnetit politik, dhe rrjedhimisht masat popullore nuk kanë patur mundësi që ti shpërfaqin dëshirat e tyre të sinqerta në aspektin politik apo kulturor.
Përfundimisht, shihet se koncepti i avantgardës në vlerat kulturore dhe në ato politike nuk ka funksionuar kur ka qenë i sponzorizuar madje edhe nga vet shteti. Rrjedhimisht, gjasat që ky koncept të funksionoj përmes shprehjës së opinioneve nëpër media është shumë më i vogël.
Prandaj, besoj se rruga më e mirë për të kultivuar shijen artistike të masave nuk është kërkesa për cenzurë avantgardiste, por është një rrugë shumë më e vështirë dhe më e gjatë –Edukimi.
Sot, ne si shoqëri duhet të bëjmë reforma të thella dhe të intervenojmë dukshëm në kodet morale e kulturore të shoqërisë sonë nëse deshirojmë një emancipim gjithëperfshirës shoqëror.
Nuk mjafton me ju thënë njerëzve jeni pellazg, Ilir apo evropian dhe me kerku prej tyne në mënyrë arbitrare me u sillë ndryshe duke ndëgju muzikë serioze përendimore apo duke kultivu shprehi që lejojnë absorbimin e formave komplekse artistike dhe kulturore. Përkundrazi, prejardhja gjenetike kolektive dhe identiteti racist nuk është hiç ama hiç me rëndësi ( poashtu është koncept imagjinar pasi që nuk mund të vërtetohet shkencerisht ).
Nëse dëshirojmë që të ndryshohet shoqëria për të mirë, para se gjithash duhet të provomojmë tutje shprehinë e punës dhe të insistojmë që vlera e një përsonit reflektohet vetëm përmes punës së vet. Duhet të zhvillojmë mendimin e hapur dhe kritik në shoqëri për të gjitha temat, madje edhe për çështjet ku diskutohen konceptet e “shenjta” të përkatësisë kolektive si kombi apo feja. Duhet të promovojmë individin sepse nëse individi nuk ndjehet mirë kolektivi është i dështuar. Nëse urgjentisht nuk i fillojmë këto reforma kulturore do vazhdojmë sikur thotë fjala popullore:
Qysh osht shoqnia qashtu osht muzika.