Avancon tezakja e Vjosa Osmanit, Venera Çerkini zyrtarisht shefe e krejt adminstratës në Ministrinë e Bujqësisë

Avancon tezakja e Vjosa Osmanit, Venera Çerkini zyrtarisht shefe e krejt adminstratës në Ministrinë e Bujqësisë

Venera Çerkini, çika e tezës së Presidentes Vjosa Osmani, po vazhdon të avancohet në pozita të larta shtetërore. Tashmë edhe zyrtarisht, Ministria e udhëhequr nga Faton Peci ka marrë vendim që atë ta emëroj në pozitën, “Sekretare e Përgjithshme” të kësaj ministrie.

Me hapa shumë të shpejt, duket se ka shkuar tezakja e Vjosa Osmanit, kur bëhet fjalë për t’u ngritur në detyrë. Periskopi ju sjell nga fillimi këtë avansim të Çerkinit në ministrinë që udhëhiqet nga një prej politikanëve më besnikë ndaj Presidentes Osmani, Faton Peci.

Enis Rrustemi, Periskopi

Venera Çerkini fillimisht kishte punuar si Drejtore e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Më pas, në ministrinë e Bujqësisë, ajo kishte gjetur burrin e saj Artan Çerkinin. Edhe ky i fundit ishte vendosur në pozitën e shefit të kabinetit të ministrit të Bujqësisë [Faton Pecit].

Ajo ishte emëruar në pozitën e drejtores në Drejtorinë për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB). Tutje, ajo kishte marrë një tjetër pozitë të rëndësishme në këtë institucion. Meqë, Kryeshef ekzekutiv në AZhB nuk kishte, Çerkini u vendos si zëvendësuese e Kryeshefit Ekzekutiv në këtë agjenci nga data 11 gusht e 2021-ës.

Periskopi në atë kohë, kishte gjetur se tezakja e Vjosa Osmanit, në listën e rezultateve për këtë pozitë, nuk ishte as në listën e ngushtë të britanikëve.

Nga intervista me gojë dhe me shkrim, Çerkini ka marrë gjithsej 76.76 pikë, ndërsa kandidati i dytë i eliminuar ka marrë 76.26 pikë. I treti 75. 73 pikë.

Siç shihet nga grumbillimi i pikëve të dy kandidatët kanë dal më të mirë në intervistën me shkrim, ndërsa Çerkini është vlerësuar më shumë me gojë. Dihet se intervista me shkrim mbetet dëshmi e dokumentuar, ndërsa me gojë jo.

Pra dallimi i pikëve i të parit me të dytin, është aq milimetrik.

Ky ka qenë konkursi i dytë për këtë pozitë, pasi që siç raportonte Periskopi, i pari ishte anuluar për shkak se Çerkini nuk i kishte plotësuar siç duhet të gjitha dokumentet.

Venera Çerkini ishte emëruar edhe në vitin 2021, si u.d e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Më pas ajo, ishte zhvendosur në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si në Minsitrinë e zëvendësuese e Sekretares së Përgjithshme.

Emërimi i Çerkinit në këtë pozicion, del se është në shpërputhje të madhe me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Kjo pasi në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.

Në vlerësimin e bërë nga britanikët, shihet se dy kandidatët që mund të emëroheshin në këtë pozitë, e të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma.

Për të vazhduar tutje, më 08.09.2023, Ministri Peci mori vendim që tezaken e Presidentes Osmani, ta emëroj shefe të krejt administratës në MBPZHR-së.

“E caktuara, detyrën e zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e ushtron nga data 8.9.2023 me të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe legjislacionin përkatës në fuqi”, thuhej në vendim.

Pa u bërë një vit i plotë, Çerkini nga data 12.04.2024 edhe zyrtarisht është emëruar Sekretare e Përgjithshme në MBPZHR.

Kujtojmë se Periskopi javë më parë pati raportuar edhe se si pozitat kyqe në ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci janë me ushtrues detyre pas edhe katër vitesh qeverisje. /PERISKOPI/

 

 

 

 

Shpërndaje në: