Avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s, Quni: Çështje e ngritur që nga ish-presidenti Rugova
Avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s po shihet nga Lidhja Demokratike e Kosovës si kontribut i dhënë nga i gjithë spektri politik në vend, e jo vetëm nga Qeveria Kurti.
Deputeti i kësaj partie, Anton Quni, ka thënë për Ekonomia Online, se integrimi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike është artikulim që nga ish-presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.
“Kjo çështje është ngritur shumë vite para luftës, që nga artikulimi që e ka bërë presidenti historik Ibrahim Rugova, gjithnjë është ripërsërit gjatë okupimit kur e kemi arritur lirinë, e po ashtu edhe kur u shpall pavarësia e Kosovës. Do të thotë është meritë e tërë spektrit, të gjitha personaliteteve, të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet ta përshëndesim të gjithë së bashku”, tha Quni.
Quni shtoi se avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s është një mundësi e mirë për sigurinë nacionale.
“Është përshëndetur nga i tërë spektri politik i Kosovës, po ashtu edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga fakti se tani edhe zëri jonë do të dëgjohet në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s. Është një mundësi e mirë që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë nacionale, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, të trajtohen në raporte bilaterale, por edhe në tërësi me autoritetet dhe përfaqësuesit e NATO-s, për të gjitha çështjet që na takojnë ne, por edhe vetë organizatën politiko-ushtarake të NATO-s”, theksoi Quni.
Të hënën, Asambleja Parlamentare e NATO-s votoi me shumicë votash pro avancimit të statusit të Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar.
Aktualisht, anëtare të asocuara të NATO-s janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.