Auditori gjeti parregullsi në kontratat e negociuara të KEK, Azemi: U konfirmuan ato që tha LDK, urgjentisht hetime
Visar Azemi i LDK-së, thotë se shqetësimet që i ka ngritur partia e tij me kontratat me negocim, në veçanti nga Korporata Energjetike e Kosovës, i ka konfirmuar edhe raporti nga Zyra Kombëtare e Auditimit për këtë ndërmarrje.
“KEK gjatë vitit 2023 ka nënshkruar gjithsej 40 kontrata në vlerë totale mbi 70 milionë euro me procedurën e negocimit. Në disa prej aktiviteteve të prokurimit, ZKA ka gjetur mangësi. Një nga to ka të bëjë me kontratën 56 milionëshe për modernizimin e turbinave në Termocentralin Kosova B, ku menaxhmenti nuk e kishte kërkuar vërtetimin tatimor për të rikonformuar gjendjen e obligimeve tatimore të operatorit ekonomik para nënshkrimit të kontratës”, shkruan Azemi.
“Tutje, raporti i ZKA-së gjithashtu konstaton se për nëntë kontrata të tjera në vlerë rreth gati 2 milionë euro, arsyet nuk ishin bindëse dhe nuk kishin të bëjnë me situata ekstreme emergjente, për të cilat ishte përdorur procedura me negocim. Bile specifikohet se arsyet më shumë shpërfaqnin mungesë të planifikimit të duhur dhe neglizhencë”, shprehet ai.