Audio-incizimi Kusari – Radoiçiq, Mustafa: Biseda tregon se VV-ja dhe Lista Serbe kanë qenë në një lloj koalicioni
Ish-kryeministri Isa Mustafa ka folur për aferat e fundit të pushtetit aktual.
Duke komentuar bisedat e Mimoza Kusari-Lilës me MIlan Radoiçiqin, ai ka thënë se ato dëshmojnë së VV-ja ka qenë në një lloj koalicioni me Listën Serbe.
Në një intervistë për KosovaPress, ai ka thënë se nuk mund t`i kërkohet një grupi parlamentar të vijë në Kuvend pa pasur ndonjë marrëveshje.
“Mirë që kanë dal këto në opinion sepse është krijuar një përshtypje në opinion se LVV-ja që është në pushtet nuk bashkëpunon me Listën Serbe. Tani del se jo vetëm që ka bashkëpunuar por ka qenë në një lloj koalicioni me Listën Serbe. T’i nuk mund të kërkosh nga shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe që ata të vijnë në Kuvend dhe të votojnë për një ligj apo për një gjykatës të Gjykatës Kushtetuese për çështje që janë me rëndësi për Kosovë dhe mos të kesh një marrëveshje me ata, pasi kjo s’ka ndodhur me parti të tjera që kanë qenë në opozitë. Çështje të tjera pastaj janë që kërkojnë edhe përgjegjësi morale, etike dhe përgjegjësi ligjore. Si mund të kërkosh prej një njeri që ka qenë i ndjekur ligjërisht që ai të kryejë punë ose të sjell vendime që i kërkon kuvendi apo qeveria nesër”, ka thënë Mustafa.
Ai ka mohuar se ndonjëherë ka folur apo e ka takuar Milan Radoiçiqin.
“Ka qenë nënkryetar (Listës Serbe), por se kam takuar kurrë. S’kam biseduar asnjëherë me të. Ne kemi pasur relacione të hapura me Listën Serbe, pasi ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar dhe ne kemi pas atëherë tre ministra të Listës Serbe në qeveri. Kanë qenë deputetë por ne kemi komunikuar me ministra që kanë qenë aty. Në atë kohë i kam shkarkuar dy ministra të cilët nuk vepronin në suaza të politikave dhe kërkesave tona. Por asnjë çështje se kemi bërë pas perde me ata edhe asnjë vendim se kemi pruar. Me Radoiçiqin s’jam takuar dhe atëherë s’ka qenë fare aktual ai në Kosovë”, është shprehur Mustafa.