Ato ia dolën! Gratë e njohura që fituan betejën me kancerin e gjirit
Muaji i tetorit i dedikohet parandalimit të tumorit në gji dhe përmes këtij artikulli duam t’u japim kurajo të gjitha grave që po përballen me këtë sëmundje duke rrëfyer historitë e disa grave të njohura të cilat kanë dalë fitimtare.
“Sëmundja më ka bërë një person më të mirë. Kanceri më ka dhënë një lloj tjetër force. Ndihem falenderuese që jam në një fazë shërimi, por edhe për sëmundjen e kancerit. Ndihem shumë e lumtur. Është një shans i dytë”, është shprehur Shannen Doherty për revistën Life&Style. Beteja e saj zgjati me vite, u dokumentua hap pas hapi nga mediat sociale, madje edhe kur ylli nuk mund të ngrihej dot në këmbë për shkak të kimioterapisë dhe e shihte të vështirë të imagjinonte një të ardhme. Por në fund super Brenda Walsh e Beverly Hills doli fituese.
Për fat të keq tek Olivia Newton-John tumori u kthye për herë të tretë pas diagonstikimit të parë në vitin 1992, kur ishte 44 vjec dhe pas një operacioni, 8 muajsh kimioterapi dhe dy relapseve, në vitin 2013 dhe 2017, aktorja pohoi se kanceri kishte përparuar dhe i kishte prekur edhe kolonën vertebrale. Tani beteja është në rrugë e sipër, por Sandy e ëmbël e ‘Grease’ nuk ndalet së luftuari. ‘Im shoq është gjithmonë me mua, të më mbështesë dhe besoj se do të fitoj. Ky është qëllimi im”, është shprehur ajo.
Pasi iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë në shkurt të vitit 2013, këngëtarja Ansatcia zbuloi se kanceri i gjirit i ishte kthyer për herë të dytë, duke e detyruar kështu të anulonte turneun për t’iu nënshtruar trajtimeve të reja. Sot i tregon me krenari plagët ‘sepse ato janë pjesë e rrugëtimit tim’.
Kylie Minogue zbuloi një gjendër në gjoksin e saj të majtë gjatë një vetë-ekzaminimi, e cila u pasua nga një mastektomie pjesshme dhe një cikël kimioterapie dhe rrezatimi. Ajo është shumë mirë tani!
Psikologia Silvana Loka është përballur me sëmundjen e kancerit të gjirit dy vite më parë.“Ishte një kontroll rutine ku mjeku konstatoi një mase, e cila nuk ishte një vit më parë, për 24 orë unë kisha bërë të gjitha analizat e tjera për të parë nëse ishte tumor. Dy ditët e para, njerëzit e mi të afërt kishim rastisur jashtë dhe e kam përjetuar vetë. Them fizikisht sepse ata sigurisht qe ishin pranë meje. Bëra kontrollet rutinë dhe u futa në një proces të përballjes me diagnozën, duke menduar çdo gjë” ka rrëfyer ajo tek programi i Jonida Shehut pasi kishte dalë fitimtare nga kjo betejë.
Duke kujtuar ditët e vështira psikologia tregoi se si ua tregoi familjareve lajmin për sëmundjen. “Nuk kam pyetur kurrë veten, perse unë? Kam pasur një jetë të shëndetshme gjithmonë, por ndërkohë kjo është një sëmundje shumë e përhapur në botë. Kisha qarë dy herë e gjysmë, në të treten thashë Silva stop, duhet të jesh e fortë. Unë jam natyrë që besoj se në jetë s’kemi mundësi të zgjedhim çfarë betejash të bëjmë, por si të luftojmë betejën që vendosemi. Biseda me familjaret ishte shumë e vështirë. Duhet t’ia komunikoja burrit, vajzave, ishte shumë e vështirë”
Edhe Vera Ora, mamaja e Rita Orës ka dalë fitimtare nga beteja me kancerin e gjirit. “Si mjeke dhe si grua e cila ka përballuar luftën me kancerin e gjirit, u drejtohem nënave dhe vajzave shqiptare: Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe bëjini kontrollet paraprake rregullisht. Sot jam e lumtur që përballova këtë sfidë dhe duke mbështetur e orientuar drejt karrierës ndërkombëtare vajzën time, Rita Ora”, është shprehuar ajo në një videomesazh dy vite më parë.
Elona Qira është mjeke stomatologe, 32-vjeçe dhe është diagnostikuar me kancer gjiri gati para dy vitesh. Një vajzë e re, në kulmin e arritjeve profesionale iu desh të përballej me atë që quhet dhe sëmundja e shekullit. Elona rrëfen se nuk ka pasur asnjë simptomë përveç rënies në peshë, deri sa një ‘e ngritur’ në gjoks, e bëri atë t`i nënshtrohej disa ekzaminimeve të mëtejshme. “Nuk po përballesha për herë të parë me një sëmundje dhe ndoshta kjo është dhe arsyeja pse e përjetova me një lloj qetësie. Kuptoja çdo ditë e më shumë rëndësinë për çdo sekondë të jetës, ndaj ndihesha më e fuqishme. E kam ndarë me të gjithë njerëzit pranë meje dhe sot e ndjej që kam bërë shumë mirë .Çdo moment i kaluar me njerëzit është një buzëqeshje më shumë për mua ,një fitore tjetër, ndaj kësaj sëmundjeje. Padyshim që përballem me frikën ,por dëshira për të jetuar është më e madhe”-ka treguar Elona në kohën kur po përballej me sëmundjen./Living/