Atletët në fshatin Olimpik çmenden pas Gjokoviqit: Kah po i vjen gjithë ajo dashuri tenistit serb?

Atletët në fshatin Olimpik çmenden pas Gjokoviqit: Kah po i vjen gjithë ajo dashuri tenistit serb?

Artikulli i mëposhtëm është shkruar nga The Guardian dhe është përkthyer në shqip nga Periskopi.

Pasi Novak Gjokoviq bëri një hap të vogël drejt medaljes së artë të shtunën, kundërshtari i tij i mposhtur, Dugo Dellien nga Bolivia, nuk mund ta ndalte veten së foluri prej zemrës. “Është ëndërr për mua,” tha ai për Gjokoviqin. “Dua ta kujtoj gjithë jetën se kam luajtur me ty.” Dellien i kërkoi atij maicën dhe më pas pozuan për fotografi.

Nuk ndodh shpesh në turet e zakonshme që Gjokoviqit t’i kërkohen fotografi apo ndonjë suvenir nga kundërshtarët. Por në Tokio, ku çdokush duket se dëshiron një copë nga lojtari më i mirë në botë, Dellieni është thjesht mes një turme të madhe. Prej ardhjes së tij, nuk ka mundësi që të ketë pasur ndonjë atlet më popullor në fshatin olimpik.

Vargu i njerëzve që prisnin për të bërë një fotografi me të kurrë nuk dukej të mbaronte. Ai ishte kapur në kamerë derisa ishte rrasur keq në bisedë me ekipet turke të volejbollit për femra dhe meshkuj, duke iu shpjeguar se si qasja mendore i lejoi të mbante jetëgjatësinë si kampion. Giovanna Scocimarro, xhudistja gjermane, e bëri një selfie me Gjokoviqin dhe më pas iku me vrap e me gëzim. Nina Derwael, gjimnastja kampione botërore, u bë virale pasi e postoi një fotografi të të dyve në ndarje. Fizioterapistja libaneze arriti ta bindte Gjokoviqin që t’i dërgonte një mesazh popullit të saj në kohë trazirash e protestash: “Dua që ta dini se nuk jeni vetëm,” thoshte Gjokoviq në një video.

“Kam folur me disa atletë, natën e parë ishte me basketbollistet e Serbisë, atletët e xhudos dhe nga sporte tjera,” tha Gjokoviq, pas fitores në raundin e dytë ndaj Jan-Lennard Struffit të Gjermanisë.

“Ata ishin shumë të interesuar që të dinin për forcën time mendore dhe se si ia dilja me presionin, se cilat janë teknikat dhe cilat janë format për të kuptuar se si ta rimarrësh fokusin pasi e humbet në momentet derisa luan. Kam folur shumë për këtë gjë, por do ta mbaj sekret, vetëm për atletët, veç për atletët.”

Popullariteti i Gjokoviqit është temë interesante diskutimi, sidomos kundruar në raport me Roger Federerin dhe Rafael Nadalin që kanë po aq grand slleme sa edhe ai. Veç disa javë më parë në Wimbledon, siç ndodh shpesh, turma bëri tifo për kundërshtarin e Gjokoviqit në shumicën e rasteve. Por kjo javë tregoi se sa i respektuar është Gjoka.

Olimpiada është gjithnjë përkujtues i madhësisë së sportit. Tenisi shpesh duket si sport i vogël për pjesën më të madhe të vitit. Por, për dy javë në çdo katër vjet, shkalla e tenisit vërehet nga mënyra se si atletët tjerë trajtojnë tenistët.

Gjokoviqi deklaroi se po qëndronte në një hotel gjatë kohës së tij në fshatin olimpik, por vetëm sa për të fjetur. Pjesën tjetër të kohës ai e kalon në fshat dhe mes atletëve tjerë. “Jam në një hotel për sezonet e tenisit dhe kjo ndodh një herë në katër vjet. Provoj t’i ekuilibroj gjërat duke mbajtur rutinat tjera dhe gjërat që më bëjnë të ndihem mirë, por fshati po më jep energji të mrekullueshme.”

Edhe në fushën e tenisin, Gjokoviqi po lulëzon. Në raundin e tretë ai përballet me spanjollin Alejandro Davidovich Fokina. Pavarësisht si përfundon kjo lojë, një gjë është e sigurt: atletët tjerë do ta presin për t’i marrë një autograf. /Periskopi

*Derisa është përkthyer ky artikull, Gjokoviq ka arritur në çerekfinale. 

Shpërndaje në: