ATK: “Freelancer”, “influencer” dhe “out-source” të deklarojnë dhe paguajnë tatimet

Administrata Tatimore e Kosovës kërkon nga qytetarët të cilët ofrojnë shërbime si “freelancer”, “influencer” “out-source”, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Në njoftim huhet se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohet pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale.
“Të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës nga aktiviteti i tyre si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimet sipas rregullave mbi objektin e tatimit bazuar në legjislacionin tatimor të Kosovës në fuqi”.
“Kur shërbimi si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., ofrohet si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga punëdhënësi vendor, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosovë dhe punëdhënësi jashtë Kosovës, atëherë personi përfitues obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional”, thuhet tutje në njoftim.
Ndër tjera thuhet se ATK-ja inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’iu përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor./Periskopi/