Athina paralajmëron protesta masive dhe trazira, priten mbi 300 mijë protestues

Athina po përgatitet për një ditë të tensionuar më 28 shkurt, me rreth 300 mijë protestues të pritur dhe mbi 100 protesta të programuar në të gjithë Greqinë, pas përplasjes tragjike të trenave në Tempi.
Ndërsa nuk do të ketë një vëmendje të veçantë në vendin e ngjarjes, përplasja e trenave, protesta do të përqendrohet në kryeqytet, raporton euronews.
Shërbimet doganore kanë njoftuar pezullimin e kalimeve kufitare nga ora 08:00 deri në 00:00, ndërsa në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës ende nuk ka një njoftim zyrtar për masa të tilla të ndërmarra.
Për shkak të protestave, supermarketet në Athinë do të jenë të mbyllura deri në orën 14:00, në orën 21:00 do hapen dhe më pas do mbyllen sërish më vonë gjatë natës.
Ndërkohë, partia politike PASOK ka njoftuar se të mërkurën do të paraqesë një mocion për mosbesimin ndaj qeverisë në parlament, duke i kërkuar llogari për gjetjet e reja mbi ngjarjen në Tempi. SYRIZA gjithashtu ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, pasi gjetjet kanë zbuluar mangësi serioze në sistemin hekurudhor grek.
Në një tjetër masë, Aeroporti i Athinës do të jetë i mbyllur për 24 orë, duke shkaktuar shqetësime për udhëtarët ndërkombëtarë dhe ata që udhëtojnë për brenda vendit.
Sindikata e Taksistëve të Atikës (SATA) ka bërë thirrje për pjesëmarrjen e taksistëve në aksionin social vullnetar, duke ofruar transport falas për qytetarët që duan të marrin pjesë në protestë dhe të shkojnë në Sheshin Sintagma.
Gjithashtu, 6 stacione të metrosë në Selanik do të jenë të mbyllura përkohësisht për shkak të protestave.
Raportet nga Organizata Kombëtare për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore kanë theksuar se brenda tre ditësh janë shkatërruar provat kryesore që mund të ndihmonin në hetimet e ngjarjes së rëndë.
Për të menaxhuar situatën, autoritetet kanë mobilizuar 6,000 polica në sheshin e Athinës, për të siguruar rendin gjatë protestave.