“Atalanta është si skuadër angleze”: Solskjaer ngre në qiell kundërshtarin para përballjes në Champions
“Duhet edhe një fitore jashtë shtëpisë për të kaluar grupin, do të jetë një ndeshje shumë e vështirë: në ndeshjen e parë De Gea bëri dy pritje të jashtëzakonshme, duke shmangur 3-1 e Atalantës”. Ole Gunnar Solskjaer, trajneri i Manchester United, vjen në Bergamo i vendosur për të mbajtur vendin e parë në grup, pas suksesit me përmbysje në ndeshjen e parë, por norvegjezi i trembet shumë italianëve dhe paralajmëron të tijtë: “Atalanta ka një stil unik, duket si një ekip anglez – tha ai – Ata mund t’i krijojnë probleme çdo ekipi tjetër, kujdes”.
“Ne i njohim mirë ata, edhe para se të sillnim Amad (Diallo) këtu, i kishim parë lojërat e tyre: ata kanë stilin e tyre, janë shumë proaktivë dhe kanë gjithmonë gjëra të vogla për të fituar ndeshjet, duke i vënë kundërshtarët e tyre në vështirësi”, shtoi në videokonferencë trajneri norvegjez, që shpëtoi pankinën e tij (për momentin) me fitoren ndaj Tottenham: “Duam të jemi gjithnjë e më të rregullt dhe të vazhdueshëm: nuk mjafton vetëm një rezultat i mirë, si 3-0 në Tottenham të shtunën, duhet të fokusohemi në progresin tonë dhe të vazhdojmë në atë rrugë. Nuno Espirito Santo? Gjithmonë të vjen keq kur dikush humbet punën e tij.”
Lidhur me ndryshimin e formës nga 4-2-3-1 klasik në 3-4-1-2 të shfaqur ndaj Spurs, Solskjaer nuk ka dashur të zbulojë kartat: “Nuk dua të zbuloj planin e lojës, por ne padyshim që mund të rreshtohemi në mënyra të ndryshme. Pavarësisht nga taktikat, ajo që ka rëndësi janë lojtarët dhe cilësia e tyre. Është cilësia që mbizotëron mbi çdo sistem. Ka rëndësi se si individët luajnë rolin e tyre, ka rëndësi sesi Bruno Fernandes ia kalon topin Cristiano Ronaldos”.