Asociacioni i veçimeve dhe dallimeve në jetën e përditshme

Asociacioni i veçimeve dhe dallimeve në jetën e përditshme

Pa hyrë këtu tek çështja se çka, si e tek  do të thotë t’i takosh një qyteti, pa hyrë tek çështja se kur dhe si u krijua Prishtina,  tek çështja se a u pushkatuan atë vit vetëm prishtinas të vjetër apo të posardhur; pa hyrë këtu tek pyetësimi pse bash një ftesë e tillë pikërisht nga Bardhyli, pa hyrë këtu tek batërditë që u bën në fshatra,  kërkesa mu duk shumë rregull meqë dekadat dhe ligjërimet e qëllimshme e kanë shtyrë në analet e harresës një ngjarje të tmerrshme si ajo e 45-tës. Vetëm Gjilani p.sh. atë vit ka qenë një mini-Srebrenicë e llojit të vet.

Por nuk shkuan pak minuta dhe gjithçka prevaloi në atë që realisht na bën ne: veçimet dhe dallimet në mosqenie për të aspiruar pjesëtari në një vend që njihej për lloq të bollshëm e shpesh edhe të pakalueshëm deri në të 70-tat. Shpërthyen insiktet e negacionieve të familjes, mëhallës, kasabasë, (njëherit me pohimin e pikërisht këtyre nga ata që ishin “me të vjetër”) krejt kjo në shërbim të deklamimit të vetes (mos)përkitës, kandidat-përkitës, dalzotës, apo siç u nënvizua – PINJOLL. E megjithatë mëhalla e kasabaja qëndronin stoik, bash sikur në prozën e Çehovit e filmat e Nuri Bilge Ceylanit. Nuk lëviznin nga ndikimi vendimtar në qeniesimin e atyre që mbajnë emra Sylejman, Neratva, Sutjeska, apo edhe mbiemra Kasabaqi.

Meqë shqiptari i Kosovës nuk u bë as komb e as shoqëri asnjeherë, modernizmi e zuri në formacione të organizimit familjar e komunitar. Dhe gjithçka që shënoi këtë mangësi thelbësore ishte përqafimi i modernizmit qoftë si familje, qoftë si individ që zbehë apo shkëputë fare relacionet me familjen, por që asnjeherë nuk e gjen veten në ndonjë ndërrmarësi që tenton të brumoset në shoqëri moderne – as shqiptare e aq më pak kosovare. Krejt e qartë pra pse kërkesa erdhi nga një individ që kërkonte rigjtje familjesh.

Prishtina si edhe krejt qytetet e “mëdha” të Kosovës inkarnon  negacionin e së djeshmës dhe vetëvetes, kah jetesa në vetëmashtrim se jemi dikushi në të sotmen. Mendojini njëherë Prishtinën e Mesihut dhe atë të Pjetër Bogdanit ? Si ti lidhësh në traditë këta dy ? A i takon Prishtinës Mesihu që fitoi lavd gati si poeti më i mirë shekullit XVI në Perandorinë Osmane, apo  Pjetër Bogdani që u vra në Prishtinë? Kushdi sot për ta? Si mund ta quash vetën “prishtinali” (prapashtesa “li” është prapashtesë turke) dhe të jesh LDK-ist, kryetari i së cilës qiellorizonte Bogdanin? Si ndodh që të tjerët i shohin Tyrbedarët e Prishtinës si “fort të vjetër” kurse këta krenohen me prjeadhjen e tyre nga Buhara?

Ose ose si mund ta mendosh Prishtinën “moderne” pa serbët e malazezët që deri para 17 vitesh ishin nja 30 mijë në Prishtinë dhe që sunduan me të? A nuk paskan edhe 30 mijë serbë e malazezë shpjegim të tyrin për Prishtinën pavarësisht që sot s’jetojnë në të ? E që me aq sa kam përvojë e di, shpjegimi i tyre për shqiptarin ka qenë shpjegimin si për qenie të dorës së dytë. Tani ku mbeti pedigreja kur pakica na paska shikuar kështu? A nuk i bije kjo që si londinezi i “queen englishit”, krejt rastësisht të ketë qenë i sunduar nga irlandezët?

Si u bë që nëse paska pasur vazhdimisht identet të qartë, të mirëformuar  prishtinas: Qosja nga Vuthaj të bëhet njeriu kryesor i letrave dhe literaturës për një kohë të gjatë; funksionerët gjakovarë të sundojnë në Komitet; Ibrahim Rugova nga Cërca e Istogut të jetë kryetar i lëvzijes më të madhe politike gjatë të 90-tave; Hashim Thaçi e Kadri Veseli të sundojnë e madje të shihen edhe si atraktivë;  i biri i Ali Ahmetit nga Suhodolli i Mitrovicës të jetë kryetar i Prishtinës; Albin Kurti me rrënjë nga Katërkolli i Ulçinit të replikoj kohë më parë me mendësinë e Pugaçovit që përfaqëson tashmë Thaçi kur ky i fundit po i thoshte: “pse nuk po shkon në Vlladimir?”. Si mund të jetë vetë Kurti pa pedigre prishtinase aq i votuar në Prishtinë?

Vështirë të përgjigjesh teksa je tu shkruar në një vend krejt periferik e që s’dha gjë; që tradita i është masakruar nja 5 herë vetëm në 25-30 vjeçarin e fundit e lërë më tej; që jeton në siujdhesa të qenies e dromca ishujsh identitarë.  Por për ata që kanë pak finesa, kahja që mori nisma e Metës kanë një ngjashmëri me lutjen në fjalë të Thaçit drejtuar Kurtit. Mosdurim në pasjen e privilegjit për të sunduar. Qoftë si Pugaçov i Burojës, qoftë si Tyrbedar nga Buharaja. Ndjenjë e kërcënimit që po vije pikërisht qytetaria politike: ajo e Vetëvendosjes!

Prishtina nuk e inkarnon as Mesihun e as Rexhep Qosjen meqë nuk u dha gjë, pos gurëve të sokakut, më vonë gri-së së ndërtesave të komunizmit,  përlyerjes ideologjike e provincializmit. Në fakt Qosjes ia dha mundësinë e promovimit të vetes, por gjithsesi në binarët e konformizmit ideologjik. Pse mos njihen Mesihu e Rexhepi nga “Shoqata e Prishtinalive”?  Nuk njihet as Rugova që e marrin si zot.  Ose a mos e njohin turkofonët Mirko Gashin, poetin etnikisht të përzier “prishtinas”. Hah. Një është e sigurtë: shirazliu i Iranit, e lexon Saadiun siç e ka lexuar Sadiu vetëveten, njejtë siç e lexon banori i fshatit të Jeseninit – Jeseninin edhe sot.

E megjithatë  mu në këto momente që po shkruaj Nexhmedin Spahiu paska qiellorizuar Mushtishtin, Buzhala dosido Çabiqin, Muhamet Mustafa paska thënë se do t’i përkushtohet pikërisht “Shoqatës së Prishtinalive”, familjes dhe RINVESTIT, kurse disa turq i janë falenderues Metës, jo pse e shohin të denjë për shehërli, por pse i ka përmendur, kurse disa të tjerë nga pakënaqësia që si ka përmendur e shajnë si katundarë. Në fund të ditës të gjithë jemi të lumtur në moçalin e quajtur Kosovë. Në padrejtësi, hajni, krim e korrupcion.

Asnjeherë nuk kam ditur e as s’di ta lexoj qytetarin të shkëputur nga politikja. Qytetar të bën vetëdija politike, atashimi, angazhmani politik për të shtyrë procese përpara në shërbim të së mirës publike, të paktën prej Revolucionit Francez e këndej. Qytetar të bën kontrontimi me sistemin (e huaj) politik jo pedigreja familjare. Ajo është tendencë aristokratike jo qytetare. “Qyteti” kosovar i viteve 20-40 e aq më pak ai komunist jugosllav, nuk janë vazhdimësi e shehrit otoman. Madje janë rënim brutal i tij. Prandaj edhe “vazhdimësia” e traditës dhe pedigresë është e rremë.

Nuk mund edhe ta çmosh Nazim Gafurrin edhe të deklamosh se arkitektura neoklasike e viteve 20-40 është “prishtinase”, kur nuk është. Jo, ajo ishte ose e sundimtarëve tranzitorë ose investim i Mbreterisë SKS në një territor që e kishin aneksuar për vete. Nuk qëndron as pretendimi se vetëm qyteti ka pasur titujt e beglerëve edhe agallarëve. Hasan Prishtina ka lindur në “qytet” (në Vushtrri që ishte shehër sipas koncipimit otoman të qytetit), kurse Isa Boletini në fshat. Por që të dy kishin eponimet e “beut”, Hasan Begu dhe Isa Begu, meqë Perandoria Osmane akoma operonte me tituj të tillë simotra të princërisë.  Pra nëse veç tentohet të thuhet se “be” ishin veçse qytetarët as kjo nuk ka bazement historik, as nga historia e vetë shekullit XX. Pra edhe nëse duan t’i referohen atij dallimi, rrejnë veten. E si rikujtesë be, ishte titull osman, jo shqiptar.

Shpërndaje në: