Asnjë njohje e anëtarësim, Pacolli: S’ka pasur përpjekje konkrete – vetëm veprime me arrogancë e për populizëm

Asnjë njohje e anëtarësim, Pacolli: S’ka pasur përpjekje konkrete – vetëm veprime me arrogancë e për populizëm

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, njëherësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për mos punën në politikën e jashtme, derisa për këtë qeverisje s’ka pasur asnjë njohje e asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’ka pasur veprime konkrete për të krijuar platformë logjistike diplomatike, andaj jemi në këtë situatë.

“Nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret drejt krijimit të një platforme logjistike diplomatike. Përfaqësimi i një shteti të vogël si Kosova kërkon shumë kreativitet, dashuri për punën, fleksibilitet, urtësi, kulturë diplomatike dhe qasje strategjike. Fatkeqësisht, këto elemente kanë munguar në rastin e Kosovës, dhe si rezultat, jemi aty ku jemi sot”, thotë ai.

Sipas Pacollit, s’ka pasur përpjekje për krijim të aleancave me ndonjë shtet apo grup shtetesh, qoftë edhe në çështje më të vogla.

“Duhet shumë punë për të arritur sukses. Nuk kemi parë asnjë veprim apo përpjekje për të krijuar aleanca ndërkombëtare apo për t’u fokusuar dhe vepruar në partneritet me ndonjë shtet apo grup shtetesh në çështje, qoftë edhe ato më të vogla. Po ashtu, ka munguar përdorimi i diplomacisë publike dhe krijimi i marrëdhënieve ekonomike me ndonjë shtet”, vlerëson deputeti.Ai shton se “veprimi me arrogancë dhe në favor të nevojave populliste është në kundërshtim të plotë me çdo formë diplomacie aktive.”/Gazeta Blic/

Shpërndaje në: