Asnjë aktivitet institucional në 30-vjetor, a u “harrua” 17 Nëntori i UÇK-së?
Rëndom në Kosovë shënohen përvjetorë të ngjarjeve apo individëve që kanë bërë histori, por njësoj nuk ndodh me 17 Nëntorin që njihet si Dita e Pagëzimit të UÇK-së.
Tridhjetë vjet më parë, në këtë datë u vendos emërtimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo erdhi si pasojë e gjendjes së rënduar në Kosovën e asaj kohe kur shqiptarët maltretoheshin nga regjimi i Sllobodan Millosheviq.
Zyra e Kryeministrit dhe Zyra e Presidencës nuk janë deklaruar mbi arsyen e mos shënimit të kësaj date historike me ndonjë aktivitet publik.
E për këtë janë kritikuar nga themelues të UÇK-së e ish-i burgosuri politik, Nait Hasani, i cili kritikoi Qeverinë dhe Presidencën e Kosovës, duke thënë se kjo ka ndodhur nga neglizhenca dhe inati politik mes partive, që sipas tij, mos të jetë dita e themelimit të UÇK-së.
Sipas Hasanit, institucionet shtetërore, është dashur që 17 nëntorin ta vendosin si datë e themelimit të UÇK-së, në kalendarin e festave zyrtare në Kosovës, që pas çlirimit të vendit.
“Institucionet e shtetit të Kosovës që nga çlirimi, është dashur ta vendosin 17 nëntorin, 1994 si datë të themelimit të UÇK-së. Këto kanë ndodhur nga neglizhencat dhe inatet politike të partive, që mos të jetë dita e themelimit të UÇK-së. Duhet të hyj në kalendarin e festave zyrtare në Kosovë si ditë e veçantë, sepse, UÇK-ja me luftën për liri dhe çlirim nga Serbia, popullit tonë i ka kthyer dinjitetin e krenarin kombëtare si popull e si komb shqiptarë. UÇK, ka krijuar vlera me luftën dhe gjakun e dëshmorëve të rënë në beteja anë e kënd Kosovës e tokave shqiptare për liri”, ka thënë Hasani në një përgjigje me shkrim.
Megjithatë, shënimi i këtij përvjetori u bë te dielën nga organizatat e dala nga lufta – përmes një akademie solemne.
Pjesëmarrës ishte edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili u shpreh për KosovaPress se për të dhe bashkëveprimtarët e tij kjo është pjesa e tij më nostalgjike dhe emocionale për përkushtimin e angazhimin që kanë pasur për çlirimin e Kosovës.