Asllani në lot pas rastit të humbur ndaj Barcelonës, shokët e skuadrës i dhurojnë mbështetje
Inter dhe Barcelona barazuan 3-3 në “Camp Nou” në kuadër të javës së 4-të të Ligës së Kampionëve dhe katalanasit janë në prag të eliminimit nga Champions League.
Zikaltërit mund edhe të kishin fituar, por gjuajtja e mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani u ndal nga portieri i katalanasve, Andre ter Stegen.
Pas një kundërsulmi, 20 vjeçari doli i vetëm përballë Ter Stegenit dhe në krahun tjetër Mkhitaryan ishte krejtësisht i vetëm. Nga dëshira për të shënuar dhe për t’i dhuruar fitoren skuadrës së tij, Asllani goditi vetë dhe për fat të keq gjuajtja e tij u prit nga portieri gjerman.
Pavarësisht gjithçkaje lojtarët e tjerë të Interit i dhanë mbështetje djaloshit të ri, i cili u shfaq i përlotur pas bilbilit të fundit.
Kamera ka kapur momentin kur lojtarët e Interit i afrohen Asllanit për ta përqafuar dhe mbështetur në këto momente të vështira.
Një gjest i bukur i futbollistëve zikaltër, të cilët e dinë shumë mirë se Asllani nuk është një lojtar egosit dhe gjithmonë është aty për të ndihmuar skuadrën. Asllani u transferua te Inter këtë verë pas një sezoni të mrekullueshëm te Empoli.
Zikaltërve iu duhet vetëm një fitore ndaj Plzenit për të kaluar grupin, pasi kanë një golavarazh më të mirë se Barça (ndeshjet direkte), pavarësisht nga rezultatet e tyre në dy raundet e fundit.