Asllani fiton Medalje të Argjendtë në Olimpiadë: E humb penalltinë në finale
Kombëtarja e Kanadasë në konkurrencën e femrave ka arritur të fitojë medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” pasi ka mposhtur në finale Suedinë, pas ekzekutimit të penalltive (3-2), pasi loja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllen baras 1-1.
Suedia e Kosovare Asllanit ishte e pafat, pasi mund të fitonte medaljen e artë në kohën e rregullt, por lëshuan terren nga fundi i pjesës së dytë.
Në fund, Asllani dhe kombëtarja skandinave u mposhten në penallti dhe u desh të mjaftoheshin me medaljen e argjendtë.
Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në përgjithësi Suedisë dhe pas shumë rasteve arritën të shënojnë edhe një gol.
Goli i vetëm u shënua në minutën e 34-të me anë të Stina Blackstenius, e cila shënoi për 1-0 pas asistimit të Asllanit.
Në pjesën e dytë, Kanada u rikthye në lojë duke krijuar më shumë dhe duke gjetur golin e barazimit dhe siguruar vazhdimet.
Jessie Fleming shënoi në minutën e 67-të për 1-1 dhe ky doli të ishte rezultat përfundimtar i lojës së rregullt.
Në vazhdime, pati shumë raste nga të dyja ekipet kombëtare, por pa arritur të gjejnë golin dhe fituesi u desh të përcaktohej pas ekzekutimit të penalltive.
Në penallti, më të sakta ishin vashat kanadeze, të cilat arritën të konkretizojnë tri nga gjashtë penalltitë dhe të fitojnë me rezultat 3-2 ndaj Suedisë, e cila shënoi vetëm dy nga gjashtë gjuajtjet.
Asllani ishte e pafat duke humbur penalltinë e parë për suedezet.