Asistenti i Alain Giresse: Kosova ka potencial për t’u ngritur, tifozët atje janë të pasionuar për futbollin

Asistenti i Alain Giresse: Kosova ka potencial për t’u ngritur, tifozët atje janë të pasionuar për futbollin

Asistent trajneri i Alain Giresse, Sebastien Bichard ndihet i kënaqur me eksperiencën që po e kalon në Kosovë dhe me Kombëtaren e vendit tonë.

Trajneri francez e ka dhënë një intervistë për portalin francez “lanouvellerepublique”, për të cilin ka folur gjerë e gjatë për përvojën me “Dardanët”, marrëdhënien solide me trajnerin Giresse, rezultatet e tanishme dhe për të ardhmen e ekipit kosovar.

Bichard madje e kishte drejtuar një herë Kombëtaren e Kosovës si trajner kryesor kur Bernard Challandes ishte prekur nga COVID-19.

E pasi e mbylli bashkëpunimin me trajnerin zviceran, ai u ftua edhe nga francezi Giresse, i cili e mori atë në stafin e tij.

“Unë e kisha mbyllur eksperiencën tek Kosova në muajin tetor me ish-trajnerin Challandes. Por, me kërkesë të Alain Giresse, Federata më thirri prapë në muajin mars. Alain kërkoi që të vija me të. Kisha disa mundësi, por e pranova këtë ofertë. Marrim pjesë në Ligën e Kombeve dhe në kualifikimet e Evropianit. Për mua, ishte mundësia më e mirë për ta provuar nivelin e lartë të futbollit”, deklaroi fillimisht Bichard.

“Mu ofrua pozita e menaxherit të akademisë në Spanjë dhe si trajner i rezervistëve në Zvicër. Është e vështirë të jesh pjesë e stafit të ekipit kombëtar, posaçërisht në Evropë. Giresse e mori iniciativën të më thërriste, ma shpjegoi se si i sheh gjërat. Ai është i pasionuar pas futbollit në mënyrë enorme, njëjtë jam edhe unë, prandaj menjëherë e gjetëm gjuhën e përbashkët. Ai është mjaft njerëzor, i matur, i përulur, një person i mrekullueshëm”, vazhdoi ai.

Kosova e nisi eksperiencën në Ligën e Kombeve me dy fitore, ndaj Irlandës së Veriut dhe kundër Qipros, por u ndal nga Greqia më pas.

“Ne nuk i kishim të gjithë lojtarët tanë prezentë dhe Greqia, e cila do të jetë lidere e Grupit B me ish-trajnerin e Bordeaux, Gustavo Poyet në krye të saj, është një ekip rigoroz”, shtoi ai.

Sidoqoftë, Bichard beson se Kosova ka kapacitet për t’u zhvilluar dhe për të arritur suksese në të ardhmen.

Mbi të gjitha, nëse i vijnë për të luajtur futbollistët që po hezitojnë dhe që e kanë mendjen në dy pjesë.

“Ka potencial për përparim, posaçërisht me gjenerata të reja. Ne duhet t’i marrim disa lojtarë që kanë nënshtetësi të dyfishtë nga Zvicra, Gjermania, Suedia, Norvegjia apo edhe Austria. Për ata që e kanë nënshtetësinë e dyfishtë, nëse nuk luajnë për Gjermaninë për shembull, mund të përfundojnë duke ardhur tek ne.

Sipas Sebastian Bichard, Kosova është një vend i pasionuar pas futbollit.

“Kur fituam në Qipro, njerëzit po na prisnin në aeroport. Në krejt Evropën, tifozët tanë janë atje. Lufta në Jugosllavi e ndau vendin, por kualiteti në futboll dhe pasioni mbesin mjaft prezentë”, nënvizoi ai, shkruan “Gazeta Express”.

“Në Francë, askush nuk e njeh Kosovën, por fakti që ky vend është i lidhur me një trajner që e ka këtë emër (Alain Giresse), kjo i jep një vizion tjetër këtij vendi. Ndoshta ju duket befasi, por është një eksperiencë mjaft e pasur. Unë kam punuar si trajner qe 10 vjet, por kam qenë asistent vetëm në dy vjetët e fundit. Në këtë nivel, ju e mësoni realitetin e konkurrencës. Kjo më pasuron. Dhe më pas, në mendjen time, unë jam numër një: sot asistentët mbizotërojnë, nuk është sikur para 30 vjetësh kur i frynin topat”, përfundoi trajneri.

I kthyer për disa ditë për të qëndruar me familjen e tij në Indre të Francës, para se të rikthehet në Zvicër, aty ku jeton, rrugëtimi unik i trajnerit Sebastien Bichard tek Kosovë është ende larg përfundimit.

Shpërndaje në: