As autobusët nga Maqedonia nuk e mbushën sallën e VV’së në Ferizaj
Organizimi që synonte t’i jepte shkëlqim tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në palestrën sportive “Bill Clinton” në Ferizaj dështoi, pavarësisht ndihmës së ardhur nga jashtë kufijve.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila shpesh ka akuzuar partitë e tjera për mobilizim të mbështetësve nga qytete të ndryshme për të mbushur sallat, kësaj here u kap duke ndjekur të njëjtën praktikë – madje duke e tejkaluar.
Në përpjekje për të garantuar praninë e masave, ndihma erdhi nga Lëvizja Besa në Maqedoninë e Veriut, e cila ftoi mbështetësit e saj për të udhëtuar drejt Ferizajt.
Mirëpo mobilizimi duket se ka dështuar. Fotografitë nga tubimi i tyre shfaqin mungesën e mbështetësve, e cepat e sallës mbetën bosh.
Përmes një njoftimi në grupin e tyre të Viber-it, Lëvizja Besa u kërkoi anëtarëve të organizoheshin dhe të shkonin “sa më shumë vetura” drejt palestrës në Ferizaj, ku do të merrnin pjesë edhe përfaqësues të Besës, Adnan Azizi dhe Besar Durmishi.
“Nesër, ora 19:00, Lëvizja Vetëvendosje e ka tubimin e saj në Ferizaj në palestrën sportive “Bill Clinton”. Prezent nga Lëvizja Besa do të jenë Adnan Azizi dhe Besar Durmishi. Kush ka dëshirë është mirë që të organizohet dhe të shkojmë sa më shumë vetura”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Besa në Viber.
Megjithatë, edhe me këtë mbështetje ndërkufitare, tubimi nuk arriti të përmbushte pritshmëritë për një sallë të mbushur plot.
VV’së i ofrohet ndihmë nga Lëvizja Besa e Maqedonisë për tubimin në Ferizaj